Gjirokastër, Topi: Qeveria të dëmshpërblejë banorët
TIRANË – “Unikale” e pati cilësuar presidenti Topi ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër më 9 nëntor të këtij viti, ku një pallat në lagjen “11 Janari” të këtij qyteti u shemb duke shkaktuar tre viktima dhe duke lënë në mes të katër rrugëve 14 familje. Mbi një muaj pas tragjedisë, në kohën kur banorët e këtij pallati, viktima të saj, janë hedhur në grevë urie, kreu i shtetit i shqetësuar iu drejtohet sërish strukturave përkatëse me një gjuhë diplomate, por të ashpër. Ai kërkon marrjen e masave për familjet, si dhe dëmshpërblimin e banorëve, pasi, ashtu siç shprehet, është “një tragjedi e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre”. Vetë familjarët në Gjirokastër nuk kanë pranuar të dalin nga greva e urisë e cila sot hyri në ditën e pestë, ndërsa dëmshpërblimin e qeverisë e kanë quajtur të pajustifikueshëm për humbjen e tyre. Presidenti Topi, i cili në deklaratë për mediat shprehet se “po ndjek me shqetësim të veçantë grevën e urisë”, kërkon me ngulm sistemimin e tyre sa më të shpejtë.
Reagimi i kreut të shtetit erdhi menjëherë pas vendimit të qeverisë për dëmshpërblimin e banorëve të Gjirokastrës me gjysmën e dëmit të vlerësuar nga ekspertët. Duke shprehur angazhim ashtu si dhe në takimin e parë me banorët e prekur nga tragjedia, presidenti Topi tha se “të ngujuarit në grevën e urisë prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemimin dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre”. Në fjalën e tij kreu i shtetit inkurajoi strukturat e qeverisë që të realizojnë sa më shpejtë të jetë e mundur sistemimin e këtyr e familjeve, duke theksuar se banorët e pallatit të shembur “kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t’u sistemuar në kushte normale”.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës nuk la pas dore edhe punën e organeve të drejtësisë. Si kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe më parë ai kishte theksuar se personat që do të punonin për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Gjirokastër do të ishin nën vëzhgimin e rreptë të këtij institucioni. Ai kërkoi “edhe një herë” vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor.
BANORËT/ Dhjetë kryefamiljarët kanë vendosur që ta zhvendosin grevën atje ku më parë ishin banesat e tyre
Greva e urisë, nën rrënojat e pallatit
Edhe gratë i janë bashkangjitur burrave pas vendimit të qeverisë për dëmshpërblim sa gjysma e dëmit të shkaktuar
GJIROKASTËR- Greva e urisë u zhvendos të enjten nën rrënojat e pallatit të shembur në lagjen “11 Janari” të qytetit të Gjirokastrës. Në ditën e katërt të zhvillimit, asaj iu bashkangjiten edhe gratë. Teksa kërkojnë plotësimin e kërkesës së tyre për një dëmshpërblim që arrin të mbulojë dëmin që u është shkaktuar në banesat që kishin më parë, banorët kërcënojnë gjithashtu edhe me bllokim të rrugës kombëtare Gjirokastër- Kakavijë përgjatë ditëve të ardhshme.
Zhvendosja
Dita e katërt e grevës së urisë i ka gjetur 10 kryefamiljarët e dëmtuar nga shembja e pallatit jo në garazhin ku kishin zhvilluar deri tani protestën e tyre. Mëngjesin e djeshëm ata janë zhvendosur në një ambient, nën rrënojat e pallatit, ku do të qëndrojnë deri në marrjen e dëmshpërblimit. E nëse garazhi u vlerësua si një mjedis tejet i papërshtatshëm, nuk ka fjalë për të përshkruar vendin ku tashmë 10 burrat do të qëndrojnë. Që të shkosh atje, duhet të ngjitesh në majën e grumbullit të mbetur qysh pas shembjes së pallatit, ndërsa të duhet të zbresësh duke u kujdesur shumë, pasi një pakujdesi e vogël mund të të shkaktojë shumë probleme. Dhjetë kryefamiljarët qëndrojnë mbi mbetjet urbane në të vetmen “dhomë” të mbetur nga 14 apartamentet e dikurshme, ku muret janë të çarë e tavani që pikon në të gjithë sipërfaqen e vet duket sikur do të bjerë nga çasti në çast. Janë të ndërgjegjshëm se qëndrimi në atë ambient në këto ditë të ftohta është tepër i vështirë, por janë të vendosur. Më e vështirë gjendja është për Axhem Menen, i cili është në shtëpinë e tij. “Ja, pikërisht nga kjo dhomë këtu nxorën gruan dhe vajzën time ditën që ra pallati. Ne ende nuk e kemi kaluar traumën, tashmë më duhet të rri këtu duke kërkuar të drejtën time të ligjshme”, shprehet ai. Në grevë është rikthyer edhe Ibrahim Braho, i cili mbrëmjen e së mërkurës pësoi parainfarkt dhe u shtrua me urgjencë, si dhe dy banorët e tjerë që patën probleme shëndetësore, Fejzi Aliaj e Bilbil Tena. “Jam larguar fshehtaz doktorëve dhe jam kthyer në grevë dhe nuk dal që këtej edhe sikur të vdes këtu”,- shprehet Braho. Edhe 5 gra janë bërë dje pjesë e grevës së urisë, duke u vendosur në garazhin ku qëndronin bashkëshortët e tyre.
Bllokimi i rrugës
Përshkallëzimi i grevës së urisë do të shoqërohet edhe me bllokimin e rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë në shenjë proteste, në ditët e ardhshme. Banorët kanë marrë kontakte me drejtues të komisariatit të policisë së Gjirokastrës ku u kanë parashtruar kërkesën e tyre.
9 nëntor 2008
Ditën e diel të 9 nëntorit, në lagjen “11 Janari” të qytetit të Gjirokastrës u shemb një pallat. Si rrjedhojë mbetën të vdekur tre persona: 2 gra dhe 1 fëmijë. Trupat e viktimave u gjetën pas kërkimeve nën rrënoja. Pas hetimeve të para rezultoi se shkak për ngjarjen e ndodhur ishte nisja e punimeve për ndërtimin e një pallati tjetër, por pa marrë masat paraprake për mbrojtjen e themeleve të pallatit ekzistues. Të mbërritur në vendngjarje menjëherë pas ndodhisë, krerët qeveritarë u premtuan banorëve të mbetur vetëm me rrobat e trupit një dëmshpërblim të plotë për fatkeqësinë e tyre. Por, një muaj më pas, një vendim i qeverisë parashikoi një dëmshpërblim me 2,9 milionë lekë për familjet që kishin apartament 2+1 dhe 3,6 milionë për ato që kishin apartament 3+1 duke përfshirë në këtë vlerë edhe mobiljet. Shuma totale e dhënë nga qeveria është 46 milionë lekë, ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar është 87 milionë lekë.