Bejdaj: Urdhër evakuimi në dy qytete
Komunat e Fierit dhe Mallakastrës rrezikojnë përmbytjen për shkak të prurjeve të shumta të ujërave
“Jemi në një situatë të vështirë, por shumë më të mirë se ajo e vitit 2005, në një kohë që kemi njoftuar për rrezikun dhe për t’u bërë gati për evakuimin në komunat pranë lumit Vjosë”. Këto janë fjalët e prefektit të qarkut të Fierit, Shahin Bejdaj, për gazetën “Shekulli” mbrëmjen e kaluar. I kontaktuar ai u shpreh se do të jenë në gatishmëri për të pritur se ç’do të ndodhë gjatë natës, ndërkohë që pritet marrja e masave për fshatrat e katër komunave, që nuk janë pak, por 12. “Megjithatë, - shprehet Bejdaj, - të mos abuzojmë me shifrat, numri i saktë i atyre që vërtet rrezikojnë nga përmbytjet janë 6-7”.
Zoti Shahini, si paraqitet situata në fshatrat pranë lumit Vjosë?
Sapo jam kthyer nga monitorimi dhe mund të them se gjendemi para një situate të vështirë. Tani që po flasim niveli i Vjosës është 60 centimetra larg pikës së saj kritike për të dalë më pas nga shtrati, ndërsa niveli vazhdon të rritet nga ora në orë. Ndërkohë në të njëjtën gjendje paraqitet dhe Semani, niveli i të cilin nga 4,2 metra ka arritur në pikën 3,7 metra, pra vetëm 50 cm larg pikës kritike. Kemi komunikuar me kryetarë të komunave që ndodhen pranë lumit Vjosë, pasi ata janë më në rrezik dhe tashmë jemi në pritje.
Cilat janë fshatrat më të rrezikuar?
Janë disa komuna përgjatë shtrirjes së lumit Vjosë. Është komuna Kutë e Mallakastrës, Cakraj që është në të dy krahët e Vjosës, Frakulli dhe Levani në Fier. Janë gjithsej 12 fshatra, megjithatë, të mos abuzojmë me shifrat, mund të themi se 6-7 prej tyre janë në rrezikshmëri të lartë përmbytjeje.
Çfarë masash janë marrë?
Po bashkëpunojmë me drejtorinë e policisë, bordin e kullimit për të qenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës, por gjithçka varet nga burimi. Shpresojmë që gjatë natës të mos ndodhë asgjë, por kemi sinjal që niveli i ujërave do të vazhdojë të rritet dhe përballja me to është e vështirë. Gjithsesi, nuk pritet që të jemi në gjendjen e përmbytjes së vitit 2005. Reagimi do të jetë më i shpejtë.
Çfarë masash janë marrë që nga viti 2005?
Masat janë marrë. Kemi një rrjet kullues më të mirë. Me këtë rrjet kullues mund të themi se do të na duhej 10-12 orë për të përmirësuar gjendjen, nëse do të ndodhte përmbytja.
Sa po ndikon mungesa e energjisë në këtë situatë?
Nuk duhet të ngatërrohemi me mungesën e energjisë në fshatra. Hidrovoret janë në gatishmëri dhe atje nuk mungon energjia.
A do të ndihmohen njerëzit në evakuim?
Ne jemi në gatishmëri, por njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm që të largohen nga banesat në rast se shohin rritje të nivelit të lumit. Po monitorojmë situatën, por kjo është një ardhje e beftë e Vjosës, duke qenë se burimi i këtij lumi është në Gjirokastër.