Leskaj: Svotojmë asnjë ligj para miratimit të Kodit
TIRANË- Ka sosur durimi i socialistëve për Kodin Zgjedhor. Gati tre javë pasi kreu i shtetit Bamir Topi shpalli dekretin e tij për kthimin e ligjit zgjedhor, Partia Socialiste vendos t’u thotë stop vonesave të stisura dhe kërkon nga demokratët që t’i japin fund lojës teatrale dhe të sjellin sa më parë ndryshimin e kërkuar për votim në Kuvend. Ultimatumi është dhënë nga Kryetarja e Grupit Parlamentar socialist, Valentina Leskaj, dje gjatë seancës parlamentare, e cila ka bërë të ditur se grupi që ajo drejton nuk do të marrë pjesë në votimin e asnjë ligji në Kuvend, për sa kohë mazhoranca nuk do të sjellë për miratim Kodin Zgjedhor. “Dua t’ju them se Grupi Parlamentar i PS-së nuk do të jetë në seancë për të votuar asnjë ligj, për sa kohë që në këtë Parlament nuk do vijë dekreti i Presidentit”, - tha Leskaj. Vendimi është marrë në një mbledhje të posaçme që Grupi Parlamentar socialist ka zhvilluar në ambientet e Kuvendit, menjëherë pas përfundimit të diskutimeve jashtë rendit të ditës, gjatë seancës së djeshme plenare. Me rihapjen e seancës, kryetarja e deputetëve socialistë i ka komunikuar Kuvendit vendimin e grupit të saj parlamentar, duke sjellë njëkohësisht në vëmendje të shumicës se vonesat për të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit për kodin zgjedhor, do të sjellin një sërë pasojash negative për ndërmarrjen e hapave të mëpasshëm ligjor dhe proceduralë, për ngritjen e infrastrukturës së duhur zgjedhore për garën e ardhshme parlamentare. “Zotërinj, dua t’ju them se çdo vonesë me Kodin Zgjedhor krijon probleme të mëdha për procesin e zgjedhjeve dhe vë në rrezik zgjedhjet e lira, vë në rrezik për shkak të problemeve dhe vonesave që krijohen me listat, për shkak të vonesave që krijon lidhur me krijimin e KQZ-së, që duhet të nxjerrë vendimet dhe aktet për hapjen e procesit, gjithashtu edhe për kartat e identitetit”, - tha Leskaj. Për këtë arsye, ajo ka denoncuar lojën e fshehtë të demokratëve dhe deklaratat diversioniste të Kryeministrit Berisha, si një hap i gabuar në drejtim të garantimit në kohë të bazës ligjore, mbi të cilën do të zhvillohet i gjithë procesi zgjedhor. Largimi nga salla për sa kohë nuk vjen kodi, duket se nuk ka qenë vendimi i vetëm i mbledhjes së djeshme të grupit socialist. Kështu, burime pranë tij bëjnë të ditur se deputetët socialistë kanë vendosur të mos marrin pjesë as në mbledhjet e komisioneve, derisa mazhoranca t’i hapë rrugë votimit të Kodit në Kuvend. I menjëhershëm ka qenë reagimi i demokratëve, të cilët edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë (deputetët socialistë ishin larguar ndërkohë nga salla), kanë garantuar se vonesat janë thjesht proceduriale dhe nuk kanë të bëjnë aspak me vullnetin e tyre për të miratuar sa më parë ndryshimin e kërkuar. Nga foltorja e Kuvendit, kreu i deputetëve demokrat Astrit Patozi, ka sqaruar nëpërmjet medias se demokratët kanë vullnet të plotë për të votuar ndryshimin e duhur, menjëherë sapo të vijë në seancë plenare.
Reagimi
Kryetari i Grupit Parlamentar i PD-së, reagon pas largimit nga salla të socialistëve
Patozi: Ndërhyrja në Kod, për dekretin e Topit
TIRANË- Presioni i ndërkombëtarëve duket se ka dhënë efektet e veta tek Partia Demokratike, e cila brenda dy ditëve duket se ka ndryshuar qëndrim në lidhje me Kodin Zgjedhor. Një ditë pasi Kryeministri Sali Berisha shprehu nevojën e ndërhyrjes në kod për të krijuar mundësinë e përfshirjes edhe të LSI-së në komisionet e administrimit të zgjedhjeve, Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka zbutur qëndrim dhe është shprehur i prerë për të votuar vetëm ndryshimin e kërkuar nga letra, me të cilën kreu i shtetit, Bamir Topi, shoqëroi dekretin e tij të kthimit të Kodit. Qëndrimi i Patozit ka ardhur si reagim menjëhershëm pas braktisjes së Kuvendit nga ana e socialistëve.
“Ajo që ka ndodhur është vetëm një mbledhje e këtij komisioni, i cili ka ngarkuar ekspertët për të arritur më në fund ndryshimet e nevojshme që kërkohen dhe për ta votuar përsëri kodin bashkërisht këtu”, - tha Patozi dje në sallën e Kuvendit. Për këtë arsye, ai është shprehur i keqardhur në lidhje me qëndrimin e socialistëve për largimin na salla e Kuvendit. Ai ka sqaruar se procesi i rishikimit të kodit nuk duhet paragjykuar, sepse do të jetë grupi i ekspertëve ai që do t’i propozojë Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, ndërhyrjen e duhur për rregullimin që kërkohet pas vërejtjes së Presidentit. “Në një farë mënyre kemi pasur qëndrime të përbashkëta lidhur me kthimin e Kodit, e kemi konsideruar si një gabim që nuk duhet të ndodhte dhe si një lëvizje e paqëlluar apo e evitueshme e Presidentit të Republikës, pra si PS-ja, ashtu edhe PD-ja”, - theksoi kreu i deputetëve demokratë.