Fier, "Gjanica" prangos 2 grabitësit e automjeteve
Operacioni i koduar "Gjanica" ka përfunduar me sukses pas një pune të mirëorganizuar të komisariatit Mallakastër. Në këtë mënyrë, janë vendosur në pranga dy shtetas, të cilët ishin kthyer në makth për drejtuesit e shumë automjeteve. Burimet e policisë lokale pohuan se Robert Lamçe dhe Ledian Gërbi, janë vënë në pranga të policisë së Mallakastrës, pasi mësohet se janë kapur në kushtet e flagrancës duke grabitur një automjet të tipit Wolsvagen.
Grabitësit, pasi janë marrë në pyetje nga grupi hetimor i policisë gjyqësore kanë pohuar se ata janë autorë të vjedhjes jo vetëm të automjetit në fjalë, por edhe të dy automjete të tjera përkatësisht të një Mercedes- benz dhe një Ëolsvagen golf. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se ka qenë një telefonatë anonime e bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga ana e një shtetasi, i cili ka parë personat në fjalë që ishin duke hapur dyert e automjetit Ëolsvagen në lagjen "8 Shkurti" të qytetit të Ballshit. Menjëherë pas njoftimit në fjalë, uniformat blu kanë nisur një grup të posaçëm, të cilët kanë arritur të dallojnë dy grabitësit që kanë tentuar të largohen nga automjeti që po vidhnin. Ka qenë 23- vjeçari Ledjon Gërbi ai që është kapur i pari nga uniformat blu e pasi është marrë në pyetje ka treguar edhe bashkëpunëtorin e vet, shtetasin 27- vjeçar, Robert Lamcen, i cili ka qenë një herë më parë i dënuar. Që të dy të rinjtë janë banorë të qytetit Ballsh. Ndërkohë, burme brenda komisariatit kanë pohuar se tashmë po hetohet në të tjera pista për të zbuluar nëse dy të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti që merret me vjedhjen dhe tregtimin e automjeteve në zonën e jugut. për këtë arsye Lamçe dhe Gërbi janë duke u marrë në pyetje nga ekspertë të Komisariatit Mallakastër.