E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet për skeletin në Shkodër, viktima mund të jetë vrarë para 15-20 vitesh

Skeleti i gjetur mbrëmjen e së martës në fshatin Selcë të komunës Vermosh në veri të Shkodrës, i përket një personi që ka vdekur rreth 20 vite më parë. Skeleti u gjet nga banorë të zonës në Shpellën e Cetinës, pas shembjes së kësaj të fundit nga lëkundjet tektonike. Skeleti ka dalë në sipërfaqe të shpellës dhe banorët kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila dje e ka dërguar për ekzaminim në morgun e spitalit të Shkodrës. Burime nga policia e Malësisë së Madhe bënë të ditur se skeleti është gjetur në gjendje mjaft të dekompozuar duke e bërë të vështirë identifikimin. Megjithatë, mendohet se personi ka rreth 20 vite që ka vdekur, ndërsa në kafkën e skeletit është gjetur një vrimë, e cila për momentin është e vështirë të identifikohet si goditja me armë ndaj personit apo është shkaktuar me kalimin e viteve si rezultat i dekompozimit. Pista kryesore e policisë po përqendrohet në listimin e personave nga Qarku i Shkodrës, që mund të kenë humbur në periudhën që dyshohet se ka vdekur personi, të cilit i përket skeleti. Megjithatë është ende herët për të nxjerrë konkluzione, ndërsa duhet thënë se fshati Selcë është në kufi me Malin e zi, dhe mund të dyshohet edhe për një person që ka tentuar kalimin e kufirit rreth viteve '80. Gjithsesi tashmë në zonë janë ekspertë të policisë kriminale të Malësi së Madhe dhe ato DPQ- së së Shkodrës që po sigurojnë prova të tjera materiale për vendin, ku është gjetur skeleti nga banorët. Kafka dhe pjesë të tjera kanë shkuar në laboratorin e Policisë Kriminale në Kryeqytet, por specialistët kriminalistë po hetojnë dhe kontrollojnë të gjithë vendin dhe dyshimet kanë të bëjmë me një vrasje të kryer përpara disa viteve. Të rejat vazhdojnë të dalin në sipërfaqe për këtë skelet të ekzekutuar vite më përpara, sepse tashmë është vërtetuar se nuk ka qenë vetëm një e shtënë në kokën e viktimës por dy, dhe pjesët e mbetura po dalin pak nga pak në sipërfaqe mbas shembjes së vendit ku viktima ishte groposur. Policisë i duhet tani të merret me të gjitha ngjarjet e vjetra, për të zbardhur këtë mister të ri të gjetur në Selsë, që vetëm shembja e sasisë së dheut në vendin e groposur e ka nxjerrë në dritë dhe me sa duket do të nxjerrë edhe një krim të kryer vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›