Ligji i dosjeve, studentët i kërkojnë Presidentit dekretimin
/>Nën moton "President çlirohu", studentët e universiteteve të ndryshme të vendit i janë drejtuar dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi për dekretimin e ligjit "për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i quajtur ndryshe si ligji i 'dosjeve'. Grupime studentore nëpërmjet një peticioni që ngritën dje, i kërkuan Presidentit të Republikës, nënshkrimin sa më parë të ligjit të lustracionit. Të mbledhur para korpusit të Universitetit të Tiranës, studentët e kanë cilësuar firmosjen e këtij ligji, si një domosdoshmëri për varrosjen njëherë e përgjithmonë të faqes më të errët të historisë së shqiptarëve.
Përmes një peticioni të firmosur prej tyre, studentë të Universitetit të Tiranës i kërkuan Presidentit, që në këtë rast, të jetë jo vetëm garant i Kushtetutës, por edhe dekretues i një ligji që i hap rrugën dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Me argumentin se "duam të jetojmë të lirë, në një vend demokratik, pa remishinencat e krimeve të komunizmit, që ka ende varre të hapura dhe shpirtra në eter" të rinjtë studentë apeluan që kreu i shtetit të mos bëhet pengesë për ndarjen e Shqipërisë nga këto hije makabre. Ky peticioni i shkruar në adresë të Presidentit, brenda një kohe të shkurtër u firmos edhe nga studentë e pedagogë të universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Rreth 1.476 studentë, pjesëtarë të Unionit të pavarur të Universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodrës firmosën një peticion, që j'a dërguan Presidentit të Republikës Bamir Topi, përmes të cilit, kërkojnë dekretimin sa më shpejt të ligjit për hapjen e dosjeve. E ndiejmë për detyrim moral dhe qytetar që të ngrejmë zërin në emër të atyre që nuk mund të flasin, eshtrat e të cilëve nuk dihet se ku janë, thuhet në peticionin, drejtuar presidentit Topi. Nënkryetari i Unionit, Halit Hasa, duke nënvizuar edhe mbështetjen e madhe që kanë marrë nga komuniteti i qytetarëve shkodranë tha se jemi ne studentët që kemi sjellë demokracinë në këtë vend dhe demokracinë do ta vendosim përsëri. Ky peticion nuk është partiak, por i pavarur dhe shpresojmë të gjejmë mbështetje e duhur në këtë drejtim" Kryetari i Unionit Studentor, Bardhyl Duraku, tha se, "duke sensibilizuar Kryetarin e Shtetit për dekretimin e këtij ligji do të kontribuojmë sadopak për të qenë pjesë e shlyerjes morale që shoqëria shqiptare iu ka të përndjekurve politikë". Sipas tyre në veprim i tillë do të na shkëpuste nga e kaluara komuniste. Nga ana tjetër edhe përfaqësues të Shoqatës së të përndjekurve politikë antikomunistë, të mbledhur para Presidencës kanë protestuar duke vijuar me deklaratat pro nënshkrimit të ligjit të dosjeve.