E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, rrezikojnë mbylljen shkollat dhe kopshtet pa ngrohje

Inspektorët e Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik Fier kanë vendosur të mbyllin të gjitha shkollat, kopshtet e çerdhet që sigurojnë ngrohjen në dimër me anën e gazit, pasi sipas tyre gazi dëmton shendetin e fëmijëve. 

FIER - Rrezikojnë mbylljen disa shkolla dhe kopshte të Fierit të cilat ende nuk janë pajisur me sistemin ngrohës, ndërsa mungojnë fondet për këtë investim nga pushteti lokal.
Për të përballuar të ftohtin e zbritur tashmë në vendin tonë, disa përfaqësues të kopshteve apo dhe disa shkollave të ciklit 9 vjeçar kanë aplikuar ngrohjen me gaz duke thyer kështu urdhrin e Inspektoratit të Higjienës, i cili e ndalon këtë ngrohje pasi është i dëmshëm për shëndetin e fëmijëve. Sipas burimeve nga drejtoria arsimore Fier, ngrohja është menduar me gaz në kopshte dhe çerdhe, gjë kjo që bie ndesh me urdhrin e dhënë nga Inspektorati i Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Fierit. Ata kanë vendosur të mbyllin të gjitha shkollat, kopshtet e çerdhet që sigurojnë ngrohjen në dimër me anën e gazit. Inspektorët e Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik Fier tregojnë se pushteti vendor ende nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit të ngrohjes nëpër shkolla.
(O.Zh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›