Fier, rrugorët i zhdëpin shoferët me gjoba

Mësohet se gjatë tri javëve që ka vazhduar aksioni, janë aplikuar me dhjetëra masa ndëshkimore.
Krerët e sektorit të qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier janë shprehur se për 20 ditë janë aplikuar plot 3700 masa administrative.
Masat përkojnë me gjoba, pezullim patentash, bllokim automjetesh dhe leje drejtimi.
Nga studimi i çdo mase administrative të aplikuar nga policia e qarkullimit mësohet se pjesa më e madhe e ndëshkimeve është bërë për shkak të mosrespektimit të normave të shpejtësisë, si dhe për shkeljen e tabelave sinjalizuese, të paktën të atyre që ekzistojnë në akset rrugore, qofshin këto kombëtare, rurale etj.
Ndërkohë mësohet se janë bllokuar 56 automjete dhe janë pezulluar 37 leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve ka rezultuar se një problem i madh për rrugët nacionale mbetet mungesa e sinjalistikës rrugore.
Drejtues të Strukturës së qarkullimit rrugor shprehen për gazetën “Shqip” se ka një mungesë të theksuar të sinjalistikës horizontale dhe vertikale në të gjitha rrugët e Qarkut të Fierit. Ndërkohë që mungesa në tabela janë hasur dhe në rrugët e brendshme të qytetit.