Fier, shpërthen pusi, zona ndotet nga gazi
Fier-Një pus ka shpërthyer mbrëmë pranë fshatit Veri duke shkaktuar daljen ne sipërfaqe të një gazi të fuqishëm në formë fontane. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.00 të ditës së djeshme në pusin që i përket fondit të ndalur të kompanisë Albpetrol.
Intensiteti i daljes së gazit ka zgjatur rreth katër orë mbrëmë, por ai përsëri është aktivizuar sërish sot në mengjes. Mësohet se dëme në njerëz dhe materiale nuk ka por po punohet nga specialistët e zonës për të neutralizuar dalejn e gazit. Inxhnierët premtojnë marrjen e masave teknike që ky pus të mbyllet për tu rishkuar në të ardhmen.
Banoret e zonës janë tronditur nga shpërthimi fuqishëm i gazit që gjendet rreth 300 metra larg zonës së banuar. Zhurma ishte tepër e madhe dhe e padurueshme sa banoret kanë dalë jashtë për të parë se cfarë kishte ndodhur. Sipas tyre dalja e gazit ka shkaktuar zhurmë tronditëse dhe era e gazit është përhapur jo vetëm në këtë fshat por edhe në fshatrat e Lushnjës që janë në kufi me zonën ku ndodhi shpërthimi.
Ky është pusi i dytë i fondit të ndalur që ka shpërthyer në këtë kompani. Shpërthimi i pusit të parë ka ndodhur para dy muajsh në Zharzë të Fierit, ku banorët pësuan probleme shëndetësore dhe ambienti u ndot.