E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet bashkëpunëtori në vrasjen e Azem Hajdarit

Ferdinand Lamaj i ka dhënë Jaho Salihit makinën me të cilën u vra Azemi. Arrestohet për llogari të gjykatës Italiane

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar një person që dhjetë vjet më parë kishte bashkëpunuar në mënyrë jo vullnetare në vrasjen e Azem Hajdarit. Ferdinand Lamaj është prangosur pasi është dënuar nga gjykata italiane për pjesëmarrje në organizatat e armatosura. Në Shqipëri ai është bërë i njohur si njeriu që i dha Jaho Salihit makinën me targa Vlore që kreu “vrasjen e shekullit”. Por pasi dëshmoi në gjyq për atë që kishte ndodhur paraditen e 12 shtatorit të vitit 1998, Lamaj u la i lirë nga drejtësia. Ai zbardhi misterin që në një farë mënyre shfajësoi ish- shefin e policisë Fatmir Meta dhe shumë zyrtarë të lartë: Makina me targa “VL 06 46 B” ishte e tija dhe jo e policisë.

Makina e krimit

Krejt rastësisht Ferdinand Lamaj është kthyer në një nga “aksesorët” më të rëndësishëm në vrasjen e deputetit Azem Hajdari dhjetë vjet më parë. Lidhja e tij me ngjarjen ka nisur mëngjesin e asaj dite dhe ka përfunduar kur ka dëshmuar në gjykatën e Tiranës në qershor 2001. Në kohën e vrasjes Lamaj ishte pronari i një lokali me emrin “Tarzan 2” në kryeqytet por ishte edhe mik i Astrit Muldakës. Rreth orës 09.30- 10.00 të 12 shtatorit Lamaj ndodhej në lokalin e tij dhe aty ka shkuar Astrit Muldaka dhe një person tjetër, të cilin ai në atë kohë nuk e njihte. Ai kishte fiksuar makinën që i kishte shpënë deri para lokalit pasi ajo ishte e Fatmir Metës, me të cilin Lamaj kishte njohje. Për më shumë se gjysmë ore Lamaj ka diskutuar me Astrit Muldakën dhe personin që i është prezantuar si Jaho Salihi, shefi i policisë së Tropojës. Muldaka i ka kërkuar atij që t’i jepte makinën e tij se do dilte me një femër së bashku me mikun që i kishte ardhur nga Tropoja. Lamaj pranoi që t’i jepte makinën por jo në atë moment sepse i duhej. Muldaka dhe Salihi ishin shumë dakord pasi makina iu duhej në mbrëmje. Pasi kanë marrë konfirmimin nga pronari për makinën me targë “VL 0646 B” Muldaka dhe Salihi janë larguar nga lokali. Në dëshminë e dhënë në gjykatë Lamaj ka pohuar se makinën e donte Jaho Salihi ndërsa Muldaka ishte thjesht një vegël që po e ndihmonte.

Vrasja “Hajdari”

Disa orë më pas, Astrit Muldaka dhe Jaho Salihi kishin shkuar sërish tek lokali “Tarzan 2” dhe kishin marrë makinën. Ata i kanë thënë Ferdinand Lamajt se makinën do ta kthenin të nesërmen dhe se ai nuk duhej të shqetësohej aspak për këtë gjë. Muldaka ka hipur në makinën e tij ndërsa në benzin e Lamajt kanë hipur Jaho Salihi dhe Naim Çangu. Kjo ka ndodhur rreth orës 20.00 të 12 shtatorit ndërsa në 21.15, përpara selisë së Partisë Demokratike, u vra deputeti Azem Hajdari dhe truproja e tij, Besim Çera. Gjatë ngjarjes u vra edhe Naim Çangu. Vetë Lamaj ka shpjeguar në gjykatë se i ka kërkuar të nesërmen makinën Muldakës por ky i ka thënë se nuk ia jepte dot. Pas disa debatesh Muldaka i ka shpjeguar se makinën nuk kishte për ta marrë kurrë më pasi ajo kishte bërë një vrasje. “Astriti ka ardhur dhe më ka thënë kemi vrarë tre veta dhe na është plagosur një shoku ynë. Paret e makinës do të ti japim, ndërkohë t’i shko në spitalin ushtarak të Tiranës dhe kujdesu për të”,- ka thënë në gjykatë Lamaj. I plagosuri Naim Çangu vdiq dhe Lamaj nuk i mori asnjëherë paratë e makinës.

Dyshohet se ka hyrë nga Italia nën një identitet të rremë por është identifikuar nga banorët e zonës që kanë njoftuar policinë

Arrestimi i Lamajt për krimet në Itali

Ferdinand Lamaj, tashmë 46- vjeç, është prangosur nga policia e Vlorës vetëm një ditë pasi ai ishte parë në qytet. Por arrestimi i tij nuk ka të bëjë me asnjë çështje shqiptare. Lamaj është dënuar nga gjykata e Milanos në Itali me 13 vjet e nëntë muaj burg për veprat penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, trafikim femrash për prostitucion, shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese si dhe atë të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit më shumë se një herë. Burime zyrtare të policisë së Vlorës bëjnë me dije se është ndaluar 46- vjeçari Ferdinand Lamaj, lindur në Fier dhe banues në Vlorë, pasi në ngarkim të tij gjykata e shkallës së parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg. Siç bëjnë me dije burime nga policia e Vlorës, për 46- vjeçarin kishte informacione se ai kishte hyrë në Vlorë një ditë më parë. Duke qenë në listën e të shumëkërkuarve, Lamaj kishte përdorur identitet të rremë. Në bazë të informacioneve të marra, policia e Vlorës ka hartuar planin e kapjes, i cili është realizuar në një nga lokalet e lagjes “24 maji”, ku 46-vjeçari ishte ulur.

Pas ngjarjes së 12 shtatorit 1998

Pesë ditë pas ngjarjes, më 17 shtator 1998 ai ka takuar Fatmir Metën dhe i ka folur për ngjarjen. Vetë Meta ka pohuar në gjykatë: "Në mëngjes teksa po qëndroja në lokalin "Juna" erdhi Ferdinand Lamaj, pronari i lokalit "Tarzan 2" dhe më tha se natën e 12 shtatorit ia kishte dhënë makinën e tij tip Mercedes Benz 2500 me targë VL 0646 B, Astrit Muldakës. Ky i fundit kishte qenë i shoqëruar me Jaho Mulosmanin. Ferdinandi më pyeti nëse mund ta ndihmoja për të gjetur makinën, pasi unë isha shef komisariati në Bajram Curri dhe se Astrit Muldaka ishte vartës i tij. Gjithashtu ai më tregoi se makina e tij shëtiste nëpër kryeqytet me targë Shkodre dhe se përdorej nga Halil Haklaj”. Disa ditë më pas Fatmir Meta është përballur sërish me këtë makinë dhe brenda saj ndodhej Halil Haklaj. Ky i fundit e ka porositur “që të mos flasë shumë për atë që ndodhi më 12 shtator”. Zbulimi i makinës së Lamajt e ka ndihmuar tej mase Fatmir Metën pasi ditët e para Partia Demokratike e akuzonte se vrasja ishte kryer me makinën e tij me targa të Vlorës.

Vrasës, dëshmitarë rastësorë dhe protagonistë rrëfejnë çfarë kanë parë me sytë e tyre natën e 12 shtatorit 1998

Vrasja “lideri të dhjetorit”, Azem Hajdari

Një orë përpara ngjarjes të gjithë “aktorët” kishin zënë pozicionet e tyre ndërsa dy më kryesorët ndodheshin në benzin e Lamajt. Jahoja Mulosmani në benz ka pyetur Fatmirin, se ç’donin aty përpara selisë dhe ai i kishte treguar se kishte ardhur për të biseduar me një shok në lidhje me kasetën (një kasetë që mendohet se e kishte Azem Handari dhe ia kishte treguar babait të Fatmir Haklajt. Në kasetë shpjegohet vrasja e vëllait të tyre). Ndërsa Jahoja po fliste me celular, pranë tyre ka kaluar benzi i Azem Hajdarit, me shofer Sami Sulën, të cilin shefi i rendit (Sipas dëshmisë së Jaho Salihit). Sipas dëshmisë së Sami Sulës, Azemi i kishte kërkuar të kontrollonin për një makinë të dyshimtë përpara selisë së PD. Pasi ai kishte bëri një xhiro, ishte kthyer dhe kishte ndalur makinën në krah të selisë së PD. Përballë selisë qëndronte një benz i errët, i parkuar me dy persona brenda Myftar Lymneshi e Dem Dollapi, të cilët po flisnin me Azemin. Jahoja i është drejtuar Fatmirit duke i thënë, që të shkonin t’i takonin. Por ai i kishte thënë të mos lëvizte. Gjatë kësaj kohe Haklaj vazhdonte të komunikonte me radiot që kishte në duar” (sipas dëshmisë së Salihit).

Ndësa Azemi po dilte nga selia Sali Lusha ka hyrë brenda selisë. Azemi i kishte treguar se nga një telefonatë, ishte informuar se poshtë dritares së doktorit ndodhej një makinë me targë VL me eksploziv. Pasi Sali Lusha ka dalë nga zyra e Genc Pollos, ka zbritur shkallët dhe ka pyetur rojën e selisë, se nga kishte shkuar Azemi. Ai i kishte bërë me shenjë nga e majta. (Sipas dëshmisë së Sali Lushës). Shoferit të deputetit, Sami Sula i është dukur shumë i shqetësuar shefi i tij. Azemi i ka thënë të sillte makinën para selisë së PD. Ndërsa ai kishte shkuar te parkingu, janë dëgjuar krismat e armëve. ( Sipas dëshmisë së Sami Sulës).

Ora 21. 15 minuta, Atentati.

Azemi doli nga selia. Dy truprojat e tij vinin përpara ndërsa ai qëndronte pak më mbrapa. Jahoja i kishte thënë Fatmirit, të iknin pasi mund t’i dallonte ndonjë njeri i njohur, por ai i kishte thënë të mos lëvizte. Menjëherë Fatmiri ka dalë nga dera e pasme e makinës dhe ka qëlluar. Ka kthyer kokën dhe ka parë jashtë. Zenel Neza ishte drejtuar nga ata. Naim Çangu ka dalë po nga ajo derë së bashku me automatikun e tij. Por ai i është bllokuar dhe Zenel Neza ka qëlluar mbi Naimin. Jahoja i ka dalë përpara Fatmirit për ta ndaluar të qëllonte mbi truprojat, pasi ata nuk kishin gjak për vëllanë e tij të vrarë, Shkëlqimin. Në këtë moment Fatmiri kishte qëlluar mbi Zenelin. Pas kësaj Jahoja ka marrë Naimin e plagosur për ta vendosur në makinë për ta dërguar në spital. Të njëjtën gjë donte të bënte edhe me Besim Çerën dhe Zenel Nezën, por Fatmiri nuk e kishte lënë. (Sipas dëshmisë së Jaho Salihit) Ened Janina

Mëngjes i 12 shtatorit

Pjesëmarrësit në atentatin e vrasjes së deputetit janë drejtuar për nga kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Makinat janë parkuar afër një lokali me llamarina afër “Çezmes së Gurit”, dhe ndërsa Fatmir Haklaj dhe Naim Çangu dhe të tjerët, ishin ulur tek lokali me llamarina, Agim Logu me Elez Haklajn kanë qëndruar në një lokal pak më larg. Jaho Salihi dhe Halil Haklaj, nuk kanë qëndruar aty por kanë shkuar dhe ardhur gjatë gjithë ditës.

Ora 9.30 – 10.00

Pranë drejtorisë së Policisë Fatmir Metës, takon vartësin e tij shef rendi. Pasi e ka përshëndetur ish shefi i komisariatit ka shoqëruar për te lokali “Tarzan 2” Jahon. Gjatë kësaj kohe ai i kishte kërkuar makinën dhe celularin Metës, për një orë, për të zgjidhur kështu disa probleme familjare. (Sipas dëshmisë së Jahos) Makina e Metës që është ndaluar tek lokali “Tarzan 2”, ka zbritur Astrit Muldakën dhe Jaho Mulosmanin. Më pas Meta është larguar për në aeroportin e Rinasit, ndërsa dy tropojanët janë ulur në lokal. Astrit Muldaka ka prezantuar Jahon si shef rendi në komisariatin e Bajram Currit me Ferdinand Lamaj, pronarin e këtij lokali, dhe më pas i ka kërkuar makinën e tij me targë VL 0646 për atë pasdite, pasi do të dilte me të dashurën e vet.

Ora 12.00

Dy orë më pas, Jaho Salihi takohet përsëri me Astrit Muldakën. Këtë radhë tek bar “Barcelona”. Ai kishte qenë i veshur me kostum dhe erdhi me një fuoristradë policie tip “Micubishi Pajero” me ngjyrë blu. Jaho dhe Muldaka janë takuar siç mund të takohen dy miq dhe kanë qëndruar për të pirë një kafe. ( sipas dëshmisë së Shkëlqim Krajës, mik i Astrit Muldakës, i cili ka qenë te lokali atë ditë).

Ora 13.00

Jahoja ka dorëzuar makinën e Fatmir Metës por ka harruar t’i dorëzonte celularin, pasi e kishte pasur në xhep (sipas dëshmisë së Jahos).

Ora 18.00

Azem Hajdari kthehet nga mitingu i Partisë Demokratike, në qytetin e Fierit. Pasi e kanë lënë tek selia, shoferi i tij është larguar. Nuk kanë kaluar shumë dhe ai ka kërkuar të sillnin familjen e tij. Në një nga lokalet përpara selisë, Azemi është ulur me familjen e tij dhe me truprojën e Berishës, Sali Lusha. Pasi kanë qëndruar për një farë kohe, Azemi është larguar për të hyrë në seli, pasi do të dëgjonte lajmet. (Sipas dëshmisë së Sali Lushës)

Rreth orës 19. 30

Izet Haxhia ka ardhur te Kodrat e Liqenit Artificial. Në të errësuar Fatmir Haklaj, ka urdhëruar nisjen e tyre. Fatmiri, Naimi dhe Jaho Mulosmani, i cili ishte drejtuar për tek Ivekoja, kanë hypur në makinën “CHRYSLER” të Astrit Muldakës. Ndërsa Izet Haxhia, Halil dhe Elez Haklaj dhe Agim Logu kanë hypur tek IVEKOJA . Fatmiri ishte veshur civil dhe në trup mbante një antiplumb të uniformave amerikane. Me vete kishte një automatik dhe 2 pistoleta. Ndërsa në dorë kishte dy radio të vogla në formën e celularit me të cilat komunikonte me Halilin. Kur kanë zbritur nga Rruga e Elbasanit, afër xhamisë, në qendër të Tiranës, ka ndaluar një polic me motor dhe i ka kërkuar dokumentet. Jahoja i ka treguar se ata ishim të drejtorisë së policisë së Tropojës dhe më pas polici është larguar. Meqenëse makina ishte me targa të huaja dhe policia mund t’i ndalonte përsëri, Muldaka ka propozuar të merrnim makinën e shokut të tij, Ferdinand Lamaj. (Sipas dëshmisë së Jaho Salihi)

Ora 20.00 e 12 shtatorit

Ata kanë takuar Ferdinand Lamaj. Astrit Muldaka ka zbritur nga makina dhe ka marrë makinën tip Mercedes Benz me targa VL 0646 të pronarit të lokalit “Tarzan 2”, Ferdinand Lamaj. (Sipas dëshmisë së Ferdinand Lamaj).

Më pas Jahoja së bashku me Fatmir Haklaj dhe Naim Çangun kanë hipur në benz, ndërsa Astrit Muldaka është larguar me “CHRYSLER”-in. (Sipas dëshmisë së Jahos).

Ora 21.00

Jaho Salihi ka ndaluar pranë Hotel “Drinit”, ndërsa IVECOJA, pasi ka përshkuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është ndaluar pranë “Ushtarit të Panjohur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›