E Diel, 1 Nëntor 2026

Butrint, zbulohet viktima e pestë e tragjedisë

KËRKIMET/ Polumbarët nxorën rreth orës 15:30 trupin e pajetë të 17-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Myftari

Trupi i Myftarit u zbulua në të njëjtin vend ku të martën u zbuluan trupat e Amarildo Kukës e Festim Hoxhës

Familjarët e Ndriçim Myftarit prej ditësh qëndronin buzë liqenit duke pritur gjetjen e djalit të tyre dhe duke shpresuar që trupi i tij të mos ishte nën ujë, por në zonën përreth. Ata kërkuan të mërkurën nga ana e policisë që të shtohej numri i polumbarëve, në mënyrë që kërkimi të bëhej më i plotë, kërkesë që e çoi numrin e kërkuesve nën ujë nga katër në 13. Të vendosur në brigjet e liqenit, duke u kufizuar në të ngrënë, fjetur a çlodhje, familjarët prisnin. Mëngjesi i së enjtes bëri që polumbarët të zhyteshin sërish dhe të vazhdonin kërkimet. Pas rreth tetë orësh, mbi ujë u nxor një trup.

Trupi u gjet në të njëjtën zonë ku dy ditë më parë u gjetën edhe dy trupat e pajetë të së njëjtës ngjarje, në afërsi të Portës së Luanit, pranë Butrintit, rreth 200 m larg Vilës së Peshkatarit në bregun tjetër. Ishte pothuajse e pamundur të identifikohej në moment se kujt i përkiste trupi i pajetë, pasi ishte thuajse i zhveshur. Vetëm kur u transportua me skafin e policisë në molin e betontë që gjendet para Vilës së Peshkatarit, të afërmit dalluan veçori të fizikut të tij. Kur trupiu vendos në breg dhe u pa nga familjarët, u identifikua plotësisht. Ylli Myftari dhe Bashkim Myftari, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 17-vjeçarit njohën njeriun e tyre të dashur, për të cilin këmbëngulën të intensifikohen kërkimet. Më pas trupi i pajetë i Ndriçim Myftarit u përcoll në morg.

Të mbyturit në tragjedinë e Butrintit janë Elvira Jaho, 22 vjeç, Klara Jaho, 3-muajshe, Festim Hoxha, 27 vjeç, Amarildo Kuke, 20 vjeç dhe Ndriçim Myftari, 17 vjeç. Policia i konsideroi tëpërfunduara kërkimet për ditën e djeshme, duke u shprehur se nga lista e dy varkave, nuk mungon më njeri dhe nuk ka asnjë familjar që të pretendojë se ka të zhdukur.

MASAT E ARRESTIT/ Togat e zeza të Sarandës lënë në burg dy të pandehurit të vënë në pranga të hënën

Ahmet Bushi dhe Bashkim Sena mbeten në qeli

SARANDË – Togat e zeza të Sarandës vendosën dje masat e sigurisë për dy personat që u arrestuan të hënën. Kështu, për Ahmet Bushin, pronar i varkës me të cilën do të kalohej në Xarrë, u vendos masa e arrestit “30 ditë në burg”. Kjo masë u vendos në mënyrë që prokuroria të plotësojë dokumentacionin e duhur për akuzat e ngritura ndaj Bushit. Ndërkaq, për Bashkim Senën, i dyshuar si rekrutues, u vendos masa “arrest në burg pa afat”. Pritet që sot para gjykatës të dalin dhe dy të arrestuarit e tjerë: Dashamir Mane dhe Hyqmet Sollaku. Katër shtetasit akuzohen për “dhënie ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit për përfitim në bashkëpunim, me pasojë vdekjen”. Pas hetimeve të kryera, policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjera. Skema e ngjarjes u ndërtua pas marrjes në pyetje të njerëzve që shpëtuan. Kështu, u bë e ditur se gjashtë të pandehurit bashkëpunonin me njëri – tjetrin me qëllim kalimin e personave nga Saranda në Greqi. Një gjë e tillë realizohej duke kaluar njerëzit me varkë nga Butrinti në Xarrë, më pas në Konispol, nga ku gjithçka ishte më e lehtë. Nga ana e prokurorisë u bë e ditur se transporti me varkë lindi dy muaj më parë dhe përdorej sa herë që nga policia ushtroheshin kontrolle të forta për ndalimin e rrugëve klandestine. SËMUNDJA

Koha e shumtë nën ujë, përfundon në spital polumbari

Ishin 13 polumbarë të cilët kërkuan dhe arritën të gjenin trupin e pajetë të Ndriçim Myftarit. Por koha e shumtë e kaluar nën ujë shkaktoi probleme shëndëtsore për drejtuesin e njësisë operacionale të polumbarëve. Sulejman Rama u dërgua dje në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi shfaqi simptoma të tilla si dhimbje koke, gjakderdhje, tension të lartë. Për këtë problem u bë e ditur se simptoma të tilla ishin për shkak të qëndrimit të një kohe shumë të gjatë nën ujë. Megjithatë, një nga krerët e uniformave blu u shpreh se menjëherë pas shfaqjes së problemeve, Rama iu drejtua spitalit në një kohë që u bë edhe zëvendësimi i tij nga një tjetër polumbar.

POLICIA

“Kërkim deri në kontrollin e gjithë sipërfaqes”

Nga ana e kreut të policisë së Qarkut të Vlorës u bë e ditur se pritet që kërkimet të vazhdojnë. Sipas Vehbi Bushatit, kërkimet do të vazhdojnë deri në momentin që të ekzistojë bindja se e gjithë pjesa nënujore është kontrolluar dhe se nuk do të jetë i nevojshëm një kthim pas. Blutë thanë se duan të saktësojnë të gjithë informacionin e mbledhur. Ndërkaq, janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe tashmë shpresohet se edhe varka e dytë që u nis nga bregu dhe në të cilën ndodheshin viktimat, të jetë kompletuar me gjetjen e trupit të pestë, përkatësisht të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari. Burimet zyrtare u shprehën se ndërsa nën ujë u angazhuan 13 polumbarë, në gjithë ngjarjen e ndodhur janë angazhuar 249 forca të policisë. I pyetur lidhur me vijimin e trafikut të klandestinëve, e provuar kjo nga ngjarjet e ditëve të fundit, Bushati deklaroi se gjithçka që po ndodh provon se “rruga e trafikut mund të sjellë viktima”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›