Pranga 52-vjeçarit, ndihmoi 7 klandestinë
KAKAVIJË- Një trafikant i qenieve njerëzore u arrestua dje në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Dy ditë më parë, i ndaluari ndihmoi shtatë shtetas për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, kundrejt përfitimit të një shume të konsiderueshme. 52-vjeçari Mitat Dautaj, lindur dhe banues në Ballsh, ishte dënuar më parë me 6 muaj burgim për “kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”. Për çdo person që ndihmonte për kalimin e kufirit, sipas uniformave blu, ai merrte nga 600 euro. Siç bëhet e ditur, shtatë klandestinët, pasi kaluan kufirin e gjelbër dhe bënë disa kilometra në tokën helene u kapën nga policia greke dhe u kthyen si deportivë në Kakavijë. Të marrë në pyetje nga policia e kësaj pike kalimi kufitar, ata dhanë deklarata lidhur me kalimin në anën tjetër të kufirit. Si pasojë, nga ana e policisë, u identifikua Dautaj, ndërsa në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i tij për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.