E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Institucionet e drejtësisë, të pavarura nga politika

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka zhvilluar për herë të parë mbledhjen e Këshillit të Drejtësisë, jashtë kryeqytetit. Ai ishte në rrethin verior të Dibrës, ku apeloi për bashkëpunim të institucioneve shtetërore dhe vendosi “pikat mbi I” për reformën në gjykata. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në një mbedhje me dyer të hapura, i hoqi imunitetin gjyqtarit të Peshkopisë, Vesel Baka dhe gjyqtares së Vlorës, Mirela Mishgjoni. Vendimi u mor pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë që kishte provuar shkeljet e tyre në punë.

Përmes KLD-së në Peshkopi, Topi është shprehur edhe për konfliktin qeveri-prokurori. “Ne dëshirojmë, jo vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por të gjitha institucionet të kenë një bashkëpunim shumë efiçent, sepse në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës është jetik bashkëpunimi mes institucioneve”. Këtu Topi veccon dy institucione prej nga burojnë ligjet, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit.

Më tej, Presidenti është shprehur se “të gjitha institucionet duhet të kenë fizionominë e tyre sipas kushtetutës dhe ligjit. Ne dëshirojmë që institucionet e drejtësisë çdo ditë e më shumë të bëhen të pavarura”.

Sipas Presidentit mbledhja e KLD-së jashtë Tirane do të kthehet në shprehi të këtij institucioni. Herë pas here ata do të zhvedosen nëpër gjykatat e rretheve të ndryshe për të zhvilluar mbledhje, kjo për të treguar transparencë me qytetarët. “Jemi në Dibër për të demonstruar para autoriteteve të këtij qyteti se jemi përkrah juristëve, të cilët e kanë mirëpritur ardhjen tonë këtu, përkrah autoriteteve, të cilët administrojnë jetën e qytetit dhe jemi përkrah komunitetit, i cili kërkon patjetër transparencë”, tha Topi.

Kjo është hera e parë që KLD jep me dyer të hapura, masë ndëshkuese për dy gjyqtar. Ky shembull me sa duket vlen “si presion” për mjaft gjyqtarë të tjerë në Shqipëri. Siç dimë sistemi gjyqësor është përfolur mjaft nga politikanët dhe shoqëria civile i si i korruptuar. Gjyqtari i rrethit gjyqësor të Dibrës, Vesel Baka dhe gjyqtarja e Vlorës Mirela Mishgjoni ishin të parët që u penalizuan nga KLD-ja.

Brenda këtij viti do të shkarkohen edhe 10 gjyqtarë të tjerë që janë tashmë të proceduar, në rrethe gjyqësore të ndryshme si në Mat, Sarandë, Tiranë, Elbasan si edhe të Gjykatave së Apelit Tiranë, Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak.

Në mesin e gjyqtarëve që do të procedohen për masa disiplinore janë edhe tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Ushtarak të kryeqytetit, Shaqir Gradica, Ylli Minka, Naum Pejo, të cilët e deklaruan të pafajshëm një nga të arrestuarit të tragjedisë së Gërdecit, presidentin e kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji, i cili u dënua për evazion fiskal nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Gjyqtarët e Proceduar:

Murat Basha, gjyqtar në Gjykatën Mat

Rasim Doda, ish-kryetar i Gjykatës Sarandë

Nevrije Halo, gjyqtare e Sarandës

Enkelejda Kashuri, gjyqtare e Sarandës

Taulant Tafa gjyqtar në Elbasan

Gjin Gjoni, gjyqtar në Tiranë

Alaudin Malaj, ish-gjyqtar i Apeli Vlorë, tani në Tiranë

Meme Rexho, gjyqtar në Vlorë

Shaqir Gradica, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë

Ylli Minka, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë

Naum Pejo, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›