Fierakët dominojnë dhe nisin mbarë sezonin
Apolonia e nis me këmbë të mbarë sezonin e ri. Fierakët kanë mundur dje me rezultatin 2-0 Teutën, në një ndeshje të cilën e dominuan thuajse totalisht nga fillimin në fund. Loja e mirë e vendasve, e cila ka pasur për protagonistë vëllezërit Haxhibuliç, është kurorëzuar me gol në minutën e 45-të të lojës, me anë të Hotit. Menjëherë pas golit, gjyqtari del me karton të kuq për mbrojtësin e durrsakëve, Ndreka. Kjo gjë ka sjellë protesta dhe nisjen me vonesë të pjesës së dytë. Në fraksionin e dytë të lojës janë sërish futbollistët e Apolonisë, ata që krijojnë një volum të madh loje dhe në minutën e 80-të, është sërish Hoti, autori i golit të qetësisë. Shkodrani merr një pas nga Haxhibuliç, dhe me një parabolë mposht portierin e Teutës. Në minutat e fundit ka tension në fushë. Kjo fitore shënon një start të mirë për Apoloninë.