E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fieri”, Paloka: PS u tërhoq në mënyrë të turpshme

22-11-2012 / Gazeta 55

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka i cilëson absurde pretendimet e socialistëve se 3 ligjet e statusit s’janë kaluar në komision. Sipas tij, kur shqyrtimi i ligjeve vazhdonte në komisionet parlamentare, deputetët e Partisë Socialiste braktisnin mbledhjet. “Ligjet janë kaluar në komision. Bëhet fjalë për 3 kushte që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë dhe kjo që thonë sot ata është absurde pasi kur ligjet vinin në komisione, deputetët e PS-së largoheshin nga mbledhja edhe pastaj thonë që ligjet s’janë kaluar”- tha Paloka.
Lidhur me çështjen e Fierit, Paloka tha se tërheqja e padisë ishte një lëvizje e turpshme që e nxori PS-në zbuluar si bllokatore e statusit të kandidatit. “Rama mendon se dëmton mazhorancën me vendimet, por është e kundërta. Një kryetar partie si ai është vetëm në favor të PD-së”- tha ai
Nga ana tjetër, deputeti socialist Armando Subashi përsëriti sërish se PS nuk është tërhequr nga çështja për këshilltarët e qarkut të Fierit. Subashi theksoi se “Fieri” vijon të mbetet kusht dhe se zgjidhja ndodhet në dorën e kryeministrit Berisha në tryezën e së cilit ndodhen edhe vendimet e gjykatave. “Nuk ka ndryshim në qëndrimin tonë për Fierin, tërheqja e padisë ka qenë për të bërë dritare të re mazhorancës të reflektojë në kushtet kur alibia u ka rënë, u ka mbetur një detyrë çfarë do bëjnë me vendimet e gjykatave. S’ka çështje për gjykim, vetëm vendime të formës së prerë. Çfarë do të bëjë Berisha me to?”- tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›