Rama e bëri dëmin, tani s’i duhet më Fieri

Sapo vendimi për bllokimin e 3 ligjeve mbërriti në Bruksel, çka e detyroi Komisionin Evropian të shpallte se ishte në pritje të votimeve të Parlamentit në Tiranë, Edi Rama urdhëron njeriun e tij me pizhame në Fier që të tërhiqet nga gjykimi në themel i çështjes për Qarkun. Ai tashmë e ka konsumuar dëmin e madh për shqiptarët, duke ju mohuar për herë të tretë marrjen e statusit dhe s’shqetësohet shumë as për çështje Fieri, as për çështje drejtësie e as për çështje demokracie
Në çdo luftë të zhvilluar në historinë njerëzore tërheqja nga beteja kryesore është shenjë e dobësie përballë faktit të pamundësisë së fitores. Sigurisht tërheqja nga beteja kryesore në çastet e fundit mund të jetë e paramenduar ftohtësish dhe e kalkuluar deri në detaje, megjithëse, kurrsesi s’mund të jetë tërheqja, një fitore. Tërheqja e padisë-kusht të PS për ligjshmërinë e kreut të qarkut Fier, një ditë pas djegies së afati të komisionit për Zgjerim në BE për miratimin e tre ligjeve dëfteu për një qëndrim të pranueshëm të opozitës kundrejt seriozitetit të procesit të integrimit europian. Për motive të dobëta elektorale të 2013, Edi Rama me një akt refuzimi të paramenduar bllokoi votimin e tre ligjeve që ishin kërkuar nga komisioneri për Zgjerim të BE, z. Stefan Fyle të votoheshin deri në datën 20 nëntor, në mënyrë që Komisioni të bënte shtojcën e raportit, në rekomandimin përfundimtar pozitiv për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në dhjetor të këtij viti dhe pas zgjedhjeve të 2013 mund të çeleshin negociatat për Anëtarësim. Kuptohet vetiu se kushtet për integrimin nuk i vendosim as maxhoranxa as opozita shqiptare, i vendos Brukseli, dhe kushtet e integrimit nga BE-ja ishin tre ligjet dhe jo çështja e qarkut të Fierit. Kjo e fundit ishte alibia e Ramës që përdori “hallin” e Vangjel Ndrekos si një levë arkimedi për të përmbysur të gjithë reformat e arritura pas marrëveshjes konsensuale të nëntorit të 2011 të palëve politike. Sigurisht pas betejës sfilitëse për kufizimin e imunitetit parlamentar, shefi i opozitës Edi Rama me një sjelle cinike u mohoi në fotofinish për të tretën herë marrjen e Statusit të vendit kandidat për në BE Shqipërisë. Nëse për dy vite radhazi Shqipërisë iu refuzua Statusi i vendit Kandidat nga BE-ja, pasi rekomandimi pozitiv ishte i pamundur në kushtet kur në opozita ishte jashtë parlamentit duke bojkotuar, në rrugë me protesta, përballë kryeministrisë me çadra greve urie, në bulevard me demonstrata të dhunshme, me tentativa për të ardhur në pushtet me mjete jo demokratike. Në vitin e tretë gjasat ishin të shumta për një vendim pozitiv pas marrëveshjes konsensuale të nëntorit të palëve politike që për ligjet e integrimit do të kishte një shumicë të cilësuar në parlament. Kësaj marrëveshje për miratimin e ligjeve të integrimin, Partia Socialiste i ka qëndruar skiç. Jo pak herë PS-ja është treguar refraktare duke shfaqur qëndrime bllokuese në Parlament. Në momentin më deçiziv për të shprehur vullnetin “pro” europian të qytetarëve shqiptarë, Edi Rama ngriti krye duke bllokuar deri në fund tre ligjet e kërkuara nga Brukseli me alibinë e çështjes së qarkut të Fierit. Dhe sapo vendimi për bllokimin e 3 ligjeve mbërriti në Bruksel, çka e detyroi Komisionin Evropian të shpallte se ishte në pritje të votimeve të Parlamentit në Tiranë, Edi Rama urdhëron njeriun e tij me pizhame në Fier që të tërhiqet nga gjykimi në themel i çështjes për Qarkun. Ai tashmë e ka konsumuar dëmin e madh për shqiptarët, duke ju mohuar për herë të tretë marrjen e statusit dhe s’shqetësohet shumë as për çështje Fieri, as për çështje drejtësie e as për çështje demokracie. Me mos marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor vendi ka humbur dhe sasinë e fondeve në miliona dollarë për infrastrukturën dhe bujqësinë, sipas projekteve zhvillimore IPA. Me fjalë të tjera, mos marrja e statusin të vendit kandidat në dhjetor, në vitin 2013, në hartimin e strategjisë së re financiare të BE, vendi do të ketë të njëjtën shumë që ka patur duke mos qenë vend kandidat. Paratë që do t’i jepeshin Shqipërisë për reforma dhe projekte zhvillimore, me shumë mundësi do të shkojnë për të mbyllur gropat financiare të vendeve fqinje, që janë në krizë të thellë ekonomike. Ndërsa, dëmi që i bëhet këtij procesi, nuk është një dëm që i bëhet kësaj qeverie, por është një dëm që u bëhet të gjithë shqiptarëve. Sidoqoftë integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe qytetarët e saj do të vijojë të jetë i vështirë përderisa, në kundërshtim të çdo parimi Edi Rama përdor votën e opozitës për të vënë veton. Ka dy mënyra për të dalë nga kjo situatë. E para është të presim një reflektim të kreut të opozitës. E dyta është përzgjedhja me votë e parlamentit të ardhshëm shqiptare të partive “pro” evropiane dhe jo euro-skeptike si PS-ja. Mënyra e dytë është në dorën tonë, ndërsa e para është jashtë parashikimeve.
...