E Diel, 1 Nëntor 2026

Fierza në kuota të palejueshme, përgjegjësi penale drejtuesve

Autori i Lajmit: Redaksia

Jemi në prag të katastrofës! Këtë nuk e thotë vetëm Kryeministri i vendit. Alarmin e jep edhe inxhinieri i digave, Dhimitër Cico. I pyetur për situatën në të cilën ndodhet vendi, Dhimitër Cico shprehet se jemi në një situatë shumë të rëndë, pasi portat e digave ka rrezik të mos hapen. “Dje është hapur porta e tunelit numër katër, e liqenit të Fierzës, që sipas ministrit, vetë e deklaroi se porta numër katër e tunelit mbeti gjysmë e hapur, e pastaj u mbyll.
Ajo mund të hapet komplet dhe mbetet e hapur ku edhe në këtë rast rrezikohet katastrofa. Por, nuk është vetëm problemi i kësaj porte, sepse atje ka porta më të thella, porta që nuk janë hapur asnjëherë, ka 30 vjet pa u hapur, të Fierzës dhe Komanit”.
Çfarë funksioni kanë këto porta, për informacion të publikut?
Këto janë portat e shkarkimit të sigurisë së digës. Ka dy siguri, një siguri që është kryesore që njerëzit duhet të largohen, sepse kalon uji mbi digë. Dhe siguria e dytë është që hapen portat dhe mbeten hapur, nuk mbyllen dhe ndodh edhe këtë rast një përmbytje, pasi shkarkohet 120-130 m3 ujë në sekondë. Portat janë në tunelet, që janë anës digës. Janë tunele të mëdha që sigurojnë veprën. Në kuotën 290 hapen tunelet dhe nuk duhet lejuar në asnjë rast që uji të kalojë këtë nivel. Është rregullore absolute, nuk ka të drejtë asnjeri ta mbajë mbi këtë kuotë.
A ka një mënyrë tjetër për ta mbajtur ujin në kuotën e duhur?
Për të mbajtur regjimin e ujit në këtë kuotë mund të ndiqet një procedurë tjetër, që shkarkohet uji pak nga pak edhe pa arritur ende në këtë kuotë. Portat e devijimit, të Komanit i kam projektuar, të tunelit numër tre dhe katër. Ka dy palë porta, një portë segmente që është projektuar dhe prodhuar në Francë dhe portat e remont-avarisë, të projektuara dhe prodhuar në vend. Portat segmente mbajnë sot rezervuarin d.m.th, nëse kjo portë hapet dhe mbetet përgjysmë duhet të veprojë porta e remont-avarisë, që kanë 20 vjet që qëndrojnë në ujë.
A ka një rregullore për këtë çështje?
Sigurisht, sipas rregullores këto porta, gjashtë muaj të vitit duhet të qëndrojnë lart, në maj-shtator. Gjatë kësaj kohë bëhet edhe kontrolli i portës segmente, ulet kjo mban liqenin ngrihet dhe kontrollohet që të jetë në siguri të plotë për këtë moment. Nga kontaktet e mia, kam siguruar informacionin që porta që kur është bërë është lënë poshtë në ujë. Janë hapur portat segmente të tunelit numër katër dhe nëntë të Komanit dhe Fierzës,
dhe në Vaun e Dejës. Portat e remontit duhet të jenë gati.
A ka funksionuar shkarkimi?
Deri tani ka funksionuar. Këto janë vetëm për sigurinë e portave gjatë muajve të dimrit, kur prurjet janë më të mëdha. Portat kontrollohen nga portat e remont avarisë. Rreziku më i madh është nëse vijnë prurje të mëdha dhe ne jemi në kuotën 293.5, siç thotë edhe ministri Prifti dhe tentohet të hapet porta numër tre dhe mbetet e hapur përmbytja është njëlloj, sepse shkojnë 2 mijë metër kub, poshtë në fusha. Rasti më katastrofik është nëse nuk hapen këto porta. Nuk funksionojnë.
A ka mundësi që ato të kontrollohen tani nëse punojnë?
Në këto kushte portat nuk mund të kontrollohen, jo në këtë moment. Pasi duhen vënë në punë portat e remont avarisë dhe këto porta të ngrihen lart. Por, kjo në këtë moment është e pamundur. Ato duhen grasatuar një herë në gjashtë muaj, ndërsa ato kanë 20 vjet që nuk grasatohen.
Për publikun, mund të na thoni çfarë peshe e përmase kanë këto porta?
Portat kanë përmasa 16-12 metra dhe të gjera 70 cm, peshojnë 60 tonë një portë dhe ngrihet me mekanizma ngritës 260 tonë. Ka një rregullore të përcaktuar si veprohet me portat e remont avarisë dhe portat për riparimin gjatë sezoneve. Në maj-shtator bëhet riparimi, lyhen me graso, kontrollohen portat e punës. Në shtator ulet kjo portë dhe qëndrojnë gati.
Kush i kontrollon këto porta?
Këto i kontrollon vetë hidrocentrali. Komiteti i Digave jep urdhra, siç është kjo situatë e krijuar këto ditë.
Për mbajtjen në kuota të palejueshme të nivelit të liqenit, a duhet të mbahet përgjegjësi penale?
Patjetër. Jemi në kuotat e palejueshme të digës dhe për këtë ka përgjegjësi penale, në fillim për drejtuesit e hidrocentraleve, e më pas përgjegjësia shkon zinxhir. Për kuotën që mban sot 293.5, pasi Fierza është 3.5 metra mbi nivelin e lejuar. Ai që ka dhënë urdhër për ta mbajtur në këtë kuotë dhe lëviz me kuotat e liqenit në këtë kohë duhet të mbajë përgjegjësi penale.
Çfarë ndodh në rast katastrofe?
Shpejtësia e ujit mund të ecë me 45 m3 në sekondë që i bie që për pesë minuta arrin në Shkodër. Shpresojmë të mos jemi përpara këtij rreziku, është katastrofike, unë uroj që të punojnë portat.
Ka dyshime që janë hequr inxhinierët profesionistë për tu zëvendësuar me amatorë?
Unë nuk njoh asnjë nga ata inxhinierë që janë tani, inxhinierët profesionistë të dikurshëm nuk janë asnjë. Janë të gjithë të rinj. Por, në KESH ka qenë dhe Farudin Hoxha, drejtor i KESH-it, nuk është problem vetëm i kësaj qeverie, por të gjitha qeveritë mbajnë peshën e përgjegjësisë me vete për heqjen e këtyre profesionistëve. Nuk ka vepruar asnjë për mirëmbajtjen. Siguria e veprës është porta nuk është diga. Diga tregoi që është e fortë dhe e mban ujin. Problemi është i mekanizmave dhe portave që duhet të jenë në gatishmëri. Po të punojnë të gjitha turbinat, uji shkarkohet normalisht. Do të ketë përmbytje poshtë në fusha, por jo të shkallës së lartë. Hidrocentralet kur janë projektuar e ndërtuar janë llogaritur të mbajnë njëra tjetrën, e kanë një sistem të integruar. Ndërkohë që sot janë prishur të gjitha argjinaturat në terren. Sot nuk ekziston asgjë. Komiteti i Digave ka bërë kërkesë të vërë në punë të gjitha portat dhe nuk është marrë parasysh kjo kërkesë. Tgani jemi para përgjegjësisë shtetërore. Jemi në mëshirë të fatit. Do të sugjeroja të largohen të gjithë banorët e të shkaktohet një përmbytje, ta pranojmë këtë përmbytje, dhe të sistemojnë nivelet e liqeneve. Pasi liqenet duhet të jenë gati për të pritur prurjet e reja që do të vijnë nga shkrirja e borës.
A ekziston tani mundësi e parandalimit të katgastrofës?
Tani nuk ka më mundësi për të parandaluar një katastrofë. Jemi në mëshirë të fatit.

Marrë nga emisioni “Faktori+”
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›