Pasaportat biometrike, Zhvlerësohen pasaportat e vjetra
Autori i Lajmit: Redaksia
Ministria e Brendshme reagoi dje në lidhje me pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike duke thënë se kompania po respekton në mënyrë korrekte afatin 2-javor nga momenti i aplikimit deri në dorëzimin e dokumentit. Ministria sqaroi emigrantët duke thënë se ata duhet të tërheqin menjëherë pasaportat e reja, pasi në momentin e aplikimit për dokumentin e ri, automatikisht, pasaporta e vjetër del nga sistemi.
“Ministria e Brendshme i bën me dije opinionit publik se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike po ecën me ritme të shpejta dhe duke zbatuar në mënyrë korrekte afatin dyjavor nga aplikimi tek lëshimi i pasaportës”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, falë edhe mbështetjes së plotë të opinionit publik dhe faktit se të gjithë qytetarët, e veçanërisht emigrantët, janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e pajisjes me pasaporta biometrike për të përfituar liberalizimin e vizave në mesin e këtij viti, ashtu siç edhe ka premtuar qeveria shqiptare, ritmi i aplikimit gjatë muajit dhjetor ka qenë 2,3 deri edhe katër herë më i lartë se kapaciteti maksimal i ofruar fillimisht nga kompania “Aleat”.
“Opinioni publik duhet të sjellë në qendër të vëmendjes se si në muajin gusht edhe në muajin dhjetor 2009, kompania koncesionare “Aleat”, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, aplikoi orare të zgjatura shërbimi, madje duke shërbyer edhe në ditët e pushimit apo dhe me shtim të stacioneve të punës, për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve, kryesisht të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Reagimi
Ministria e Brendshme shpreh keqardhjen që Partia Socialiste vazhdon politikën e saj demotivuese ndaj procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike”,- thuhet më tej në deklaratë. Me këtë rast, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme drejtoi disa pyetje: Kur ka ndërmend Partia Socialiste tu bëjë thirrje qytetarëve shqiptarë që të pajisen me pasaporta biometrike? “Duke ju bërë të ditur se deri në fund të vitit 2009 është arritur një shifër impresionuese e aplikimit për pasaporta biometrike, konkretisht 388.569 aplikime, Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe një herë qytetarëve, jo vetëm të aplikojnë, por edhe të nxitojnë që të pajisen sa më parë me pasaportën biometrike”,- tha Ministria. Sipas saj, të gjithë aplikuesit për pasaportë biometrike që u është prodhuar pasaporta duhet ta tërheqin atë, sepse pasaportat sapo prodhohen, regjistrohen në sistem, duke nxjerrë kështu të pavlefshme pasaportën e mëparshme.
“Asnjë aplikues pas datës 26.12.2009, nuk ndalohet deri në datën 10.01.2010 në asnjë pikë kalimi kufitar për shkak se vetëm ka aplikuar dhe nuk e ka marrë apo nuk i është prodhuar pasaporta”, thuhet më tej në deklaratë.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010