Zgjidhja e ngërçit politik, Sabri Godo: “Duhet një tryezë ose takim i dy liderëve”
Autori i Lajmit: RedaksiaZoti Godo mendoni se do të ketë një zgjidhje për situatën politike të krijuar në vend?
Unë mendoj se do të ketë një zgjidhje dhe do të marrë fund kjo gjendje që është e dëmshme, e papranueshme, si në plan të brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Them që, pasi arriti kulmin e saj, kjo tani do të vijë duke rënë dhe them se do të gjendet një rrugë që opozita të kthehet në Parlament. Duke qenë kjo një domosdoshmëri, palët nuk kanë si ti mënjanohen, ndaj të ulen dhe të bëjnë marrëveshje. Kjo tani, sipas meje, është një kërkesë e përgjithshme e shqiptarëve që nuk janë militantë të inkuadruar në parti, është një mendim i përgjithshëm i komunitetit botëror që ka të bëjë me ne dhe këtë fakt ne nuk kemi si ta mohojmë apo të bëjmë sikur nuk e shohim. Prandaj, them që tani u thanë të gjitha dhe erdhi koha që të shkëmbehen mendime dhe të arrihet në një ujdi. Çdo zgjatje e kësaj do të ishte me të vërtetë krejt e papranueshme.
Cila mund të jetë formula e zgjidhjes së kësaj situate politike?
Duhet të dish se si e mendojnë ata që kryesojnë palët. Ata e dinë se në çfarë pikash mund të cedojnë. Kështu që mua më duket se hapi i parë që duhet bërë është nisja e një tryeze. Rrugët e komunikimit gjithnjë ekzistojnë, të arrihet në mbajtjen e një tryeze ose në takimin e dy liderëve. Të dyja palët kanë thënë aty nga fundi i vitit se janë të gatshëm për bisedime. Tani dikush duhet të bëjë hapin e parë, të bëjë ftesën.
A mund të ketë një zgjidhje të ndërmjetme që mund të kënaqë të dyja forcat politike?
Sigurisht që mund të ketë. Asnjëra nga palët nuk mund të kënaqet plotësisht, sepse duhet të cedojë diçka në favor të palës tjetër. Kur bën marrëveshje duhen dy palë, ashtu edhe për të bërë luftë. Kështu që secila nga palët duhet të shikojë se ku duhet të lëshojë rrugë për tu afruar me palën tjetër, për të arritur në këtë marrëveshje. Unë e quaj të pashmangshme.
Albert Brojka, politikan
“E vetmja rrugë për Ramën,
të lobojë në parlament”
Si mund të zgjidhet kriza politike në të cilën ndodhet aktualisht vendi? A duhet të ketë një takim Rama-Berisha për zgjidhjen e kësaj situate?
Mazhoranca qeverisëse ka më shumë se 70 vota në Parlament. Atëherë vendi nuk është në krizë. Ligjet miratohen, qeveria punon,funksionon në bazë të këtyre ligjeve. Krizë do të ishte nëse dy ose tre anëtarë të Parlamentit do të lëviznin dhe të prishej 70%.
Gjithsesi, për këtë lloj krize artificiale që e ka shkaktuar Rama duke mos futur në Parlament deputetët e tij, nuk mendoj se duhet të dialogojnë dy liderët. Përse duhet të dialogojnë? Me sa di unë, Edi Rama ka vënë një kusht: ose të hapen kutitë, ose nuk dialogoj. Atëherë për çfarë të dialogohet?!. Nëse do të dialogohet, i vetmi dialog që mund të bëhet është që PS të kthehet në Parlament dhe aty brenda, në Parlament, të fillojë të lobojë, të grupohet sipas interesave, të dialogojë, qoftë me LSI-në, qoftë me PDI-në, që ka dy deputetë, qoftë dhe me PD-në që të krijojë njëfarë lëvizje që të kapë mazhorancën e nevojshme për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. E vetmja lëvizje që mund të bëjë PS, së bashku me Edi Ramën, është që të kthehet në Parlament dhe të fillojë dialogun aty për të krijuar një mazhorancë dhe të pretendojë nesër për zgjedhje të parakohshme.
Ju pohoni se nuk ka krizë, ndërkohë që janë një sërë ligjesh të rëndësishme si ai për Gjykatën Administrative, për konferencën gjyqësore, për Kodin Zgjedhor, etj., që nuk mund të kalojnë nëse nuk marrin 84 pro, pra nëse opozita nuk është në Kuvend. Si mund të zgjidhet kjo gjë?
Nuk mendoj se janë ligje me rëndësi të madhe. Janë vetëm amendime ligjesh dhe shteti mund të funksionojë fare mirë dhe pa këtë paketë ligjesh, kështu që unë mendoj, nuk e shikoj aspak nga ana politike pavarësisht se i përkas PD-së, unë mendoj se zgjidhja e kësaj krize që e quani ju, është duke u kthyer PS në Parlament dhe të kontribuojë dhe për këto ligje. Pushteti nuk merret duke ushtruar dhunë në rrugë, por me rregulla loje dhe kjo duke marrë mazhorancën në Parlament. Kur merr atë, ke të drejtë të kërkosh.
Sami Neza, kryeredaktor i gazetës Standard
“Politika e tryezave u
takon vendeve pa stabilitet”
Si mund të zgjidhet kriza politike në të cilën ndodhet aktualisht vendi? A duhet të ketë një takim Rama-Berisha për zgjidhjen e kësaj situate?
Takimet mes dy drejtuesve të partive më të mëdha politike janë të domosdoshme sa herë që vendi ka probleme të rëndësisë së madhe. Por gjithnjë takimet e drejtuesve politike kanë një rrezik, të informalizojnë politikën dhe vendimmarrjen. Po të hedhësh një vështrim tek sjelljet e politikës në vendet perëndimore, takime të tilla ka pak ose aspak. Jo për shkak të mungesës së problemeve por se atje debati bëhet formal dhe brenda institucioneve formale siç është Parlamenti. Zakonisht, takime të tilla të liderëve politikë marrin terren në vende pa stabilitet politik dhe social, në kohë trazirash të brendshme, kur nuk pranohen institucionet ose ka kontestime të karakterit të tillë si mospranim i modelit politik apo modelit qeverisës. Po të shikosh gjendjen në Shqipëri, asnjëri prej këtyre konstatimeve nuk është në rendin e ditës. Bile, PS ka njohur edhe zgjedhjet, pra Parlamentin, dhe kërkon hapjen e kutive të votimit, “jo për të marrë pushtetin në tavolinë, por për të kthyer në precedent hapjen e kutive sa herë që për zgjedhjet ka dyshime”.
Një zgjidhje normale e çështjes së bojkotit të PS-së do të ishte vendimi i kësaj të fundit për tu kthyer në Parlament. Atje do të kishte mjaft mundësi edhe për të vënë ne peshore kërkesën e saj të parë, hapjen e kutive, e cila edhe mund të mos plotësohet, dhe, edhe nëse nuk plotësohet, nuk përbën dramë as për këtë parti dhe as për Shqipërinë. Ajo ka edhe një grup tjetër kërkesash, disa prej të cilave kalojnë nëpërmjet logjikës së konsensusit.
Ka plot mundësi për të bërë pazare në politikë, por pazaret janë deformime. Nëse Edi Rama kërkon pazare ai po atakon etikën politike, dhe nëse Berisha ia pranon pazaret, edhe ky i fundit do të atakojë etikën politike. Në politikë ka debat dhe një përfundim për çështje të ndryshme, por jo pazare me fund politik dhe me përfitime jopolitike.
Berisha ka ofruar kompromis, por nuk është shprehur për takim, Topalli ka përmendur si fushë kompromisi disa ligje apo projektligje me interes të gjerë, Rama është shprehur për dialog por ka vënë portë kutitë.
Në këto rrethana është pak vështirë të parashikohet një takim Berisha-Rama, por shoh se çështja mund të marrë rrugë vetëm nëpërmjet një takimi të tillë, i cili forcon faktorin Rama përkundrejt faktorit Parlament apo grup parlamentar socialist. Rama kërkon ta zgjidhë çështjen dhe pastaj të lirojë deputetët e tij të shkojnë në Parlament, duke vënë veten në rolin e protagonistit. Nuk mund ta shmangësh lehtë këtë çështje për sa kohë Rama nuk do të jetë deputet. Ai do të kërkojë që vazhdimisht zgjidhjet të prodhohen te zyra e Kryetarit të PS-së dhe jo me debat parlamentar.
Ka plot zgjidhje që kënaqin të dyja palët. Të paktën Rama synon pikërisht këtë, një zgjidhje që kënaq dy palë. Por zgjidhja që kënaq të dyja palët mund të jetë një zgjidhje që nuk kënaq institucionet, bile i dëmton ato, i nënvlerëson, u mbivendos marrëveshje, i nxjerr çështjet jashtë shtratit ligjor, e plot probleme të tjera, që vijnë prej politikës informale, që është ajo e takimeve partiake.
Mitro Çela, gazetar, ish-deputet i PD
“Anormale që Rama dhe
Berisha të mos takohen”
Zoti Çela, vendi vazhdon të jetë në krizë politike, çka është vënë në dukje dhe nga ndërkombëtarët. Përplasja PS-PD ka bllokuar punën normale të Kuvendit, ku një sërë projektligjesh të rëndësishme nuk mund të miratohen pa 84 vota. Si mendoni se duhet të zgjidhet kriza?
Tek formulimi juaj, unë shoh tri pyetje.
Së pari, kur themi krizë politike, nënkuptojmë krizë numrash në Parlament. Nëse mazhoranca nuk siguron 71 deputetë, Presidenti duhet të shpërndajë Parlamentin, edhe nëse ndërkombëtarët thonë të kundërtën. Por unë di që mazhoranca ka 74 deputetë. Kjo do të thotë se kriza politike është ende larg dyerve të Parlamentit.
Së dyti, disa ligje, për tu miratuar kërkojnë 84 deputetë. I tillë është ligji për Gjykatën Administrative; disa ndryshime të domosdoshme në kode, për ti përshtatur me kodet evropiane. Por mosmiratimi i këtyre ligjeve nuk e bllokon Parlamentin. Pa këto ligje, ngadalësohet shpejtësia për tu futur në familjen evropiane.
Kuvendi "bluan" edhe shumë projektligje që nuk kërkojnë 84 deputetë për tu miratuar, si ligji për buxhetin e shtetit, marrëveshjet për marrjen e kredive etj.
Së treti, nuk mund të ketë formula të gatshme për të zgjidhur jo krizën, më saktë ngërçin që ka mbërthyer marrëdhëniet PS-PD, dhe më shqip, marrëdhëniet Berisha-Rama.
A është i nevojshëm një takim mes zotit Berisha dhe zotit Rama për të zgjidhur këtë situatë?
Takimi mes dy liderëve do të ishte gjëja më normale. Anormale është mostakimi i tyre.
Kush mendoni se duhet të hedhë hapin i pari për bisedime mes palëve?
Ai që ka kuptuar më mirë se politika duhet tu shërbejë interesave të popullit.
A mund të ketë një zgjidhje të ndërmjetme, që mund të kënaqë të dyja forcat politike?
Nuk ka zgjidhje të mesme. Duhet kërkuar vetëm ajo zgjidhje që synon të bëjë Brukselin, sa më shpejt, kryeqytetin e dytë të Shqipërisë.
Zhak Mone, Shuman, Adenauri, De Goli, Koli, Miterani, Margaret Theçer, Toni Bler etj., pa harruar interesat e Francës, Gjermanisë a Anglisë, u bënë arkitektë të Bashkimit Evropian. Filozofia e këtyre liderëve duhet të imitohet nga Berisha, Rama a Meta.
Rezear Xhaxhiu, drejtues i emisionit Zip
“Zgjidhja? Do të ndodhë si
gjithmonë, në momentin e fundit”
Zoti Xhaxhiu, vendi vazhdon të jetë në krizë politike, çka është vënë në dukje dhe nga ndërkombëtarët. Përplasja PS-PD ka bllokuar punën normale të Kuvendit, ku një sërë projektligjesh të rëndësishme nuk mund të miratohen pa 84 vota. Si mendoni se duhet të zgjidhet kriza?
Edhe pse kemi hyrë në ditët e para të një viti të ri, harta politike ka mbetur e pandryshuar dhe statike sikundër u projektua në javët dhe muajt e fundit të vitit që sapo lamë pas. Kutitë duket se nuk do të hapen dhe PS vijon të ngulë këmbë në variantin e saj pa dhënë as edhe një opsion të ndërmjetëm. Nga ana e saj mazhoranca duket se nuk ka ndërmend të lëshojë pe. Palët, dhe këtu kam parasysh Ramën dhe Berishën, kanë shkuar aq larg sa vështirë është të thuhet se kur dhe ku do të ndalojnë. Pra, nisur nga këto që parashtrova më sipër, vështirë është të gjendet një zgjidhje e pranueshme dhe e momentit e kësaj krize, e cila është më shumë një krizë mes liderëve dhe një demonstrim muskujsh mes dy njerëzve që me vështirësi e njohin dialogun dhe tërheqjet. Nuk shoh asnjë zgjidhje, përveçse një ulje në tryezë duke kujtuar se politika është arti i së mundshmes. Por politika e vërtetë dhe jo ajo e fshatit tonë të vogël, sikundër ne vijojmë të jemi prej më shumë së dy dekadash.
A është i nevojshëm një takim mes zotit Berisha dhe zotit Rama për të zgjidhur këtë situatë?
Jo vetëm që është i nevojshëm një takim i tillë, por madje, ai është i vonuar. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se përse aktorët politikë këtu shihen më shumë se armiq mes njëri-tjetrit. Historia njerëzore flet për takime e pakte nga më të guximshmit mes armiqve realë e jo mes aktorëve të një klase politike. Hapin e parë zakonisht në një betejë në një paqe në një marrëveshje e bën më i forti, më i arsyeshmi dhe më toleranti. Në këtë rast mendoj se i takon mazhorancës të lëshojë sinjalin e parë. Politika shqiptare, madje, edhe Berisha kanë dëshmuar se kur kanë dashur kanë arritur të gjejnë një zgjidhje. Por fatkeqësia jonë është se, gjithnjë, kjo zgjidhje ka ardhur me shumë vonesë dhe me kosto të lartë për shoqërinë shqiptare. Do të ndodhë edhe në këtë rast kështu.
A mund të ketë një zgjidhje të ndërmjetme që mund të kënaqë të dyja forcat politike?
Nuk arrij të gjej dot një zgjidhje të ndërmjetme. Nëse i shikon kërkesat e palëve janë për socialistët, hapje me çdo kusht e kutive dhe jo gjysmë hapje, largim i Berishës dhe jo gjasme largim dhe nga ana tjetër, një mazhorancë që betohet mbi Kushtetutë se nuk do të ketë hapje të Berishës. Për largim as që bëhet fjalë. Pra, zgjidhja e ndërmjetme, tani për tani, duket një fantapolitikë. Analistë të ndryshëm flasin për një zgjidhje të ndërmjetme pra për një shans real politik e kushtetues për zgjedhje të parakohshme, por që gjithsesi për tani, duket se mbetet një hipotezë e guximshme. Të shohim se çfarë do të na sjellin javët dhe muajt në vijim.
Zef Preçi, analist
“Duhet takim mes tyre, por
jo pazar me sms mes tyre”
Zoti Preçi, në vend kemi një ngërç politik, çka është vënë në dukje dhe nga ndërkombëtarët. Përplasja PS-PD ka bllokuar punën normale të Kuvendit ku një sërë projektligjesh të rëndësishme nuk mund të miratohen pa 84 vota. Si mendoni se duhet të zgjidhet kriza?
Së pari, mendoj se palët duhet të pranojnë gjendjen e ngërçit politik apo të krizës, domethënë mazhoranca me modesti të pranojë se mospjesëmarrja e opozitës në Kuvend - në dukje absurde- është preludi i një krize institucionale të institucionit bazë të shtetit tonë. Sipas mendimit tim, të pranosh krizën, do të thotë të ndjesh përgjegjësi institucionale për mirëfunksionimin e institucioneve të shtetit, edhe pse formalisht pushteti (Qeveria) ka numrat e mjaftueshëm për të konsumuar mandatin. Domethënë nuk është e mjaftueshme ftesa formale për hyrjen e opozitës në Kuvend, e përsëritur me dhjetëra herë, e zotit Berisha, që kjo e fundit të hyjë në të “pa kushte”.
Së dyti, mendoj se opozita duhet të heqë dorë nga gjuha revolucionare e kërcënimeve dhe e ultimatumeve, artikulime publike, të cilat ndikojnë negativisht, domethënë i kontribuojnë tensionimit artificial të klimës së përgjithshme politike në vend. Natyrisht, marrja nga ana e zotit Rama e një mandati tjetër të plotë në krye të PS-së, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit 2009 dhe fokusimi i debatit të kësaj force politike në çështjen e (mos)hapjes së kutive të votimit, mendoj se kanë krijuar terrenin e nevojshëm për tiu rikthyer realpolitikës së bashku me fillimin e zbatimit të detyrës kushtetuese për të cilën janë mandatuar përfaqësuesit e PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë është bërë e qartë se asnjë nga palët institucionale dhe diplomatike vendase dhe të huaja, të interesuara për problemet zgjedhore nuk e ka mbështetur bojkotin e Kuvendit nga ana e deputetëve të PS-së. Kjo do të thotë se çfarëdo justifikimi për qëndrimin e tyre jashtë Kuvendit apo më keq paralajmërimet për mospjesëmarrje në zgjedhjet e afërta administrative, më shumë se gjithçka dëmtojnë interesat dhe funksionimin e demokracisë në vend, procesin e ndërtimit institucional dhe të integrimit evropian të tij. Por jo më pak dëmton të ardhmen politike të PS-së dhe po kështu edhe mazhorancën aktuale.
Së treti, nëse procesi i rishikimit të pozicioneve politike të palëve do të jetë një proces transparent dhe institucional dhe në funksion të gjetjes së pikave të përbashkëta ndërmjet tyre, edhe rrugëzgjidhja nuk duket dhe aq e vështirë. Se, nëse hedhim një vështrim retrospektiv në historinë e marrëdhënieve midis dy forcave politike dhe qëndrimeve të tyre ndaj Kushtetutës së vendit gjatë pesë viteve të fundit, nuk është vështirë për të kuptuar mungesën e transparencës dhe të principeve më elementare në këto marrëdhënie, madje edhe motivimin qartazi nga vullneti i lobeve politike apo grupeve të interesit – oligarkisë sunduese në ekonominë e vendit. Për këtë mjafton të kujtojmë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që “varrosën” partitë e vogla, pa u dhënë shansin të testohen dhe eventualisht të largohen nga skena politike me votën dhe vullnetin e qytetarëve të vendit; ndryshimet në Kushtetutën e vendit që ndryshuan brenda një nate jo vetëm balancën e pushteteve, por edhe formën e republikës, duke e kthyer postin e Kryeministrit në qendrën më të rëndësishme të pushtetit së bashku me reduktimin e dukshëm të funksioneve kushtetuese të Presidentit. Kuptohet që “viktima” e bashkëpunimit PS-PD në ndryshimin e Kushtetutës së vendit ishte dhe mbetet zbehja e dukshme e ndarjes së pushteteve dhe vendosja e drejtësisë “nën thundrën” e Qeverisë pikërisht për këtë shkak. Shkurt, shqetësimi i vërtetë qytetar mendoj se duhet të jetë bashkëpunimi i paprinciptë që solli këto ndryshime dhe jo “ndeshja” e radhës midis tyre. Ashtu sikurse sulmet e PS-së ndaj LSI-së aleatit të majtë në mazhorancën e drejtuar nga PD, mbeten thjesht inatçore, duke dëshmuar se kjo forcë politike nuk ka nxjerrë ende mësimet e duhura mbi rëndësinë e aleancave politike as pas pësimeve të dy zgjedhjeve të fundit.
Në një terren me konkret, mendoj se ulja e toneve të sulmeve mediatike të mazhorancës mbi korrupsionin në Bashkinë e Tiranës (thua se në anën tjetër nuk ka farë korrupsion) dhe tonet e zbehta të reagimit plotësisht “në mbrojtje”, pa ndonjë skemë të lexueshme të luftës politike të opozitës mund tia lerë vendin qetësisht “paqes institucionale”, domethënë mund të zgjidhë ngërçin pa pritur beteja të tjera që nuk u sjellin asgjë të mirë shqiptarëve, demokracisë dhe institucioneve të shtetit të tyre. Madje, në qarqet politike ditët e fundit flitet edhe për “negociata” të nëndheshme dhe, pa dyshim, veç problemit se kush do të hedhë hapin i pari (mendoj se i takon pa diskutim pushtetit, PD-së), pyetja është se çfarë përfitimesh do të sigurojë opozita, PS-ja në marrëveshjen e radhës midis tyre. Asgjë nuk dallohet ende nga lëvizjet e radhës të tyre, por një gjë është e qartë: vazhdimi i bojkotit të PS-së është baraz me mungesën e opozitës dhe nuk e ndihmon procesin e ndërtimit të institucioneve të shtetit të së drejtës, rritjen e kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe forcimin e llogaridhënies së saj përballë qytetarëve taksapagues të vendit. Po kaq e vërtetë është se vazhdimi i funksionimit “monocolor” të Kuvendit, duke e shndërruar “altarin e kombit” në një mbledhje të thjeshtë partie, duke anashkaluar procesin ligjvënës me shumicë të cilësuar, jo vetëm që do të zhveshë me tej legjitimitetin e këtij institucioni, por rrezikon shndërrimin e Ekzekutivit në një “qeveri kujdestare”, shumë larg ambicieve për reforma në fusha të rëndësishme të jetës shoqërore dhe ekonomike të vendit, të shpallura në programin politiko-qeverisës katërvjeçar të saj.
E nëse për momentin përballja e qëndrimeve diametralisht të kundërta midis mazhorancës së PD-së dhe opozitës së PS-së duket se do të vazhdojë, mendoj se humbjet për të dyja palët nuk mund të injorohen. Kështu, PS-ja, në mungesë të përmbushjes së misionit të saj politik si opozitë në Kuvendin e Shqipërisë, rrezikon dobësimin e lidhjeve me elektoratin e saj, gjë që nuk mund të mos reflektohet në zgjedhjet e afërta administrative (qoftë edhe duke marrë pjesë në to). Ndërsa mazhoranca e PD-së rrezikon të humbasë ditë pas dite legjitimitetin e saj, të kontestuar deri më sot vetëm politikisht (të paprovuar institucionalisht), gjë që më shumë se gjithçka dëmton funksionimin e shtetit dhe besimin publik ndaj institucioneve të tij. Domethënë, çfarëdo që të shpresojë të arrijë opozita (PS) ka vetëm një rrugë: hyrjen në Kuvend dhe përdorimin e këtij institucioni për shtrimin në rrugë institucionale të problemeve të veta. Ndërsa mazhoranca (PD) mund të konsumojë legjitimisht mandatin e saj vetëm duke ofruar ato zgjidhje që kanë në themel interesat e qytetarëve shqiptarë, duke filluar me korrigjimin e problematikës zgjedhore të shprehura në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke mos përjashtuar edhe problemet e numërimit apo hapjen selektive të kutive të votimit. E ndër opsionet e kapërcimit të problematikës aktuale politike, të pleksur dukshëm me praninë e gjerë të krizës ekonomike, mendoj se nuk duhet përjashtuar edhe ndonjë pakt për një paketë masash antikrizë, për rishikimin e politikave fiskale në marrëdhëniet e qeverisë me biznesin, për drejtimet e nxitjes së investimeve të huaja, etj.
A është i nevojshëm një takim mes zotit Berisha dhe zotit Rama për të zgjidhur këtë situatë?
Në çdo vend demokratik në situata të ngjashme, takimet midis liderëve janë krejt normale dhe të dobishme kur platformat politike për rrugëzgjidhjet përkatëse janë bërë publike, kur ato bazohen dhe frymëzohen nga interesat e qytetarëve. Në të kundërt, le të vazhdojnë me metodën e sms-ve (sikurse thuhet se është vepruar për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008)…, rezultatet tashmë dihen...
Kush mendoni se duhet të hedhë hapin i pari për bisedime mes palëve?
Nuk ka diskutim se në një vend normal e demokratik përgjegjëse për mbarëvajtjen e jetës politike e institucionale të vendit dhe mirëqeverisjen e tij është, në radhë të parë, mazhoranca dhe Qeveria e mandatuar prej saj.
A mund të ketë një zgjidhje të ndërmjetme që mund të kënaqë të dyja forcat politike?
Zgjidhjet që kënaqin të dyja palët janë gjithnjë të mundshme, por problemi themelor mbetet nëse ato do të kenë vullnetin politik edhe përgjegjshmërinë e nevojshme institucionale për të ofruar zgjidhje që të kënaqin interesat e qytetarëve shqiptarë, domethënë zgjidhje që çojnë në ndërmarrjen e reformave të rëndësishme që ofrojnë vendin me Evropën, që rrisin besimin e qytetarëve ndaj shtetit të dalë nga vota e tyre dhe, mbi të gjitha, që rritin nivelin e jetesës dhe mirëqenien e tyre.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2010