Fiket hidrofori, Durrësi zgjohet i përmbytur, 300 banesa nën ujë
DURRËS- Qindra shtëpi private në Durrës janë përmbytur nga reshjet e mbrëmshme, kryesisht në periferi, si në zonën e ish-Kënetës, Porto Romanos, Spitallës, Shkozetit, etj. Ndërkohë janë përmbytur edhe disa lokale në katet e para, në qendër të qytetit.
Mësojmë se në mesnatë është ndërprerë energjia elektrike që furnizon hidroforin më të madh të qytetit, në Porto Romano. Për pasojë uji i kanaleve kulluese ka hyrë në banesat e qytetarëve në lagjet e sipërpërmendura. Situata është mjaft e rëndë, gjithë mobiliet dhe pajisjet shtëpiake të afro 300 familjeve janë dëmtuar plotësisht. Ata thonë se e gdhirë natën për shkak të ujit që vërshoi në banesat e tyre. "Fëmijët i kishin të rrezikuar dhe i kemi vënë mbi dollape", thotë një prej banorëve.
Sot në mëngjes është mbledhur shtabi i emergjencës i drejtuar nga prefekti i qarkut për të vlerësuar numrin e familjeve të prekura nga përmbytja dhe dëmin material që iu është shkaktuar atyre. Ndërkohë janë dërguar zjarrfikëset për pastrimin e ujit në zonat e përmbytura.