Elbasan, Rama: Mandatet e PS-së nuk digjen
Opozita proteston në Elbasan. Kryetari i PS-së tha se në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, por pushtet fisnor
Ngjela: "Ai mori iniciativën për të manipuluar zgjedhjet. Kjo është e rëndë dhe ai rëndë do ta paguajë"
ELBASAN- Diversione i ka cilësuar kreu i opozitës Edi Rama deklaratat e ardhura nga eksponentë të së djathtës lidhur me fatin e mandateve të deputetëve socialistë, nëse këta të fundit do vazhdojnë të mos marrin pjesë ende në jetën parlamentare.
Duke folur nga Elbasani, ku opozita zhvilloi dje në mbrëmje protestën e saj të radhës në kërkim të bërjes së transparencës së zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit, kryesocialisti ka siguruar se askush nuk mund të prekë mandatet e deputetëve të zgjedhur prej popullit, duke shprehur në të njëjtën kohë vendosmërinë për t'i shkuar deri në fund betejës, për t'i kthyer legjitimitetin institucionit të Kuvendit.
"Kërkojnë të përçajnë opozitën me diversione të turpshme, e iu thonë të pavërteta nga një përditë, lidhur me mandatin e deputetëve të PS-së, ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t'u bërë bashkëfajtor në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike të 28 Qershorit, por nga ana tjetër mandatet e deputetëve të Partisë Socialiste nuk digjen dhe nuk do të digjen sepse i kanë ato mandate për t'i dhënë fund zgjedhës së interesave të pushtetit familjar të Sali Berishës", - tha shefi i opozitës Edi Rama.
Në fjalën e vet, kreu i socialist i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe rastit më të fundit të dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, rast i cili, sipas tij, është një tregues i qartë i situatës së rëndë në të cilën ndodhet sot Shqipëria.
"Një gazetar i padëshirueshëm për pushtetin e familjes së Sali Berishës, u gjakos nga një biznesmen i familjes, i cili falë mbrojtjes së paligjshme të Sali Berishës, nuk paguan taksat dhe i përzë me policë shteti punonjësit e tatimeve, që trokasin në dyert e biznesit të tij, sepse në Shqipëri nuk ka shtet ligjor, por pushtet fisnor", - tha më tej Rama në fjalën e vet.
Por nuk mjafton me kaq, ka theksuar Rama në fjalën e vet, pasi java e fundit është shoqëruar edhe me një sërë zhvillimesh të tjera ku shteti i së drejtës është kthyer në shtetin e interesit të kryeministrit dhe familjes së vet. Kështu, ai ka sjellë në vëmendje konfliktin në qendër të Tiranës, ku qeveria në kundërshtim me një vendim të saj të mëparshëm bllokoi pronën e një subjekti privat, apo edhe rastin e Orikumit, ku sërish një konflikt prone vuri përballë policinë e rendit dhe qytetarët.
"Shteti i shqiptarëve ka dalë nga binarët e Kushtetutës dhe të ligjit dhe është vënë në shërbim të familjes në pushtet, duke shpërfillur dhe shkelur brutalisht liri dhe të drejta kushtetuese kudo ku pushteti i familjes ka interesa ekonomike, abuzive, korruptive", - tha ai.
Për të gjitha këto arsye, Rama shtoi se, Partia Socialiste është e vendosur që të kërkojë deri në fund hetimin e zgjedhjeve parlamentare duke hapur kutitë e votimit, si mundësia e vetme për t'i dhënë institucioneve të vendit legjitimitetin e duhur dhe për ti kthyer qytetarëve besimin e humbur tek shteti.
"Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 Qershorit, i hap rrugën drejtësisë për të gjykuar lirisht dhe ndëshkuar me forcën e ligjit fajtorët për tragjedinë e Gërdecit dhe për grabitjen marramendëse të fondeve të rrugës së kombit.
Tuneli i Kalimashit u mbyll pa afat. Sot media lajmëroi për shembje në një pjesë të tij, që ka ardhur për shkak të dëmtimeve të rënda. Kjo është një vepër madhore e kombit, po për fat të keq edhe në rrugën e kombit Sali Berisha gjeti rrugë për të vjedhur paratë e shqiptarëve", - ka shtuar kreu socialist, duke ftuar në të njëjtën kohë qytetarët elbasanas që t'i bashkohen tubimit të 20 Nëntorit në Tiranë.
Ndërkohë, protestën e djeshme e kanë përshëndetur edhe krerë të tjerë të koalicionit opozitar për transparencën e zgjedhjeve, si kreu i PLI Dr Spartak Ngjela, kreu i G99-ës Erion Veliaj, por edhe deputetët e Elbasanit, si Valentina Leskaj, Tauland Balla etj. Kështu, Ngjela në fjalën e vet ka theksuar se 20 Nëntori, dita kur opozita ka paralajmëruar protestën më të fuqishme, do të jetë dita e ndarjes së Shqipërisë nga e keqja që, sipas tij, e ka emrin Berisha.
"Kryeministri Sali Berisha, është jo vetëm një kryeministër i paaftë, uzurpator, por është edhe një e keqe e madhe për Shqipërinë, që duhet ta shporrim sa më parë. Ai mori iniciativën për të manipuluar zgjedhjet për herë të dytë. Kjo është e rëndë dhe ai rëndë do ta paguajë", - tha Ngjela.