Taçi kundër-kallzon Mero Bazen për fyerje
Kallëzohet në prokurori gazetari Mero Baze për kryerjen e veprës penale të "fyerjes" dhe "dëmtimeve të tjera me dashje" ndaj Irgen Selfos. Studio ligjore që mbron tre të arrestuarit Rezart Taçi, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo që pasditen e djeshme janë paraqitur në prokurorinë e kryeqytetit duke kallëzuar penalisht gazetarin Mero Baze.
"Dorëzuam kallëzimin në prokurori ndaj gazetarit Mero Baze. Ky kallëzim ka si objekt kryerjen e veprës penale të "fyerjes" ndaj klientëve tanë, Rezart Taçi, Bledar Lilo dhe Irgen Selfo, ndërsa për këtë të fundit edhe akuza e "dëmtimeve të tjera me dashje" pasi gazetari Baze e ka qëlluar me tavëll cigaresh dhe grusht në fytyrë.
Gjithashtu, me anë të një kërkesë i kërkuam prokurorisë të kryejë akt-ekspertimin mjeko-ligjor të Irgen Selfos, pasi ka dëmtime në fytyrë e në trup për shkak të goditjeve të gazetarit Mero Baze ndaj tij.,"-tha avokat Maks Haxhia, menjëherë pasi doli nga dera kryesore e Prokurorisë së Rrethit në kryeqytet.
Gjithashtu, mësohet se avokatët mbrojtës të tre të arrestuarve kanë pasur një takim edhe me njërin prej zv\prokurorëve të institucionit të akuzës, linja e të cilit po heton dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Baze. Nuk bëhen të ditur arsyet e këtij takimi, por, burimet e rezervuara theksuan se avokatët i kërkuan zv/prokurorit të ndryshojë qëndrimin e tyre për caktimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Rezart Taçi.