E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me raporterët, PS: Berisha e Topalli gënjyen për opozitën

Raporterët e Këshillit të Evropës, Jako Lakso, dhe David Wilshire zhvilluan dje një takim me kryetarin e PS-së


TIRANË- Raporterët e Këshillit të Europës, Jako Lakso, dhe David Wilshire, të cilët prej disa ditësh ndodhen në Tiranë në kuadër të një misioni faktmbledhës mbi gjendjen politike në Shqipëri, kanë përgënjeshtruar njoftimet e shpërndara nga zyra e kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli se gjatë bisedave të zhvilluara me ta kanë deklaruar qëndrimin e tyre rreth pozicionit, që po mban opozita për procesin zgjedhor të 28 Qershorit dhe institucioneve të dala prej tij.


Nuk bëhet fjalë për një reagim të tyre zyrtar, por për një qëndrim të shprehur gjatë takimit, që kanë zhvilluar dje në Bashkinë e Tiranës me kryetarin e opozitës, Edi Rama dhe deputetët Ditmir Bushati dhe Eduart Shalsi.


Duke folur për mediat, pas këtij takimi, deputeti socialist Bushati ka deklaruar se gjatë këtij takimi dy reporterët e huaj kanë mohuar që në takimet me drejtuesit e lartë shtetërorë të kenë shprehur opinionin e tyre rreth zhvillimeve politike në vend.


Kjo pasi siç konfirmon Bushati misioni i tyre është faktmbledhës dhe për rrjedhojë nuk mund tu lejohet që në këtë fazë të shprehin vlerësimin e tyre pa dëgjuar më parë të gjithë aktorët politikë në vend. "Raporterët janë këtu për të dëgjuar zërin e aktorëve të ndryshëm politikë dhe zërin e aktorëve të ndryshëm të jetës publike në Shqipëri që mund të jetë media apo shoqëria civile.


Gjithashtu me shumë kënaqësi na konfirmuan që të gjitha njoftimet që janë bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit dhe e Kuvendit, sikur gjoja ata kanë deklaruar për qëndrimin e tyre ndaj opozitës shqiptare, janë fakte absolutisht të pavërteta", - u shpreh Bushati. Sipas tij, raporterët kanë garantuar kreun e opozitës Edi Rama se vlerësimin e tyre për situatën politikë dhe për qëndrimet e palëve do ta shprehin në raportin e fundvitit, që do të hartojnë për Shqipërinë.


"Qëndrimi i tyre do të bëhet publik në raportin që ata do të publikojnë për Shqipërinë, të cilin ne e mirëkuptojmë se do të jetë një raport konkret dhe do t'i shërbejë demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit", - tha më tej Bushati. Ndërkohë, sipas zyrës së shtypit të selisë rozë, mësohet se gjatë këtij takimi, dy raporterët janë njohur nga kryetari socialist Edi Rama me qëndrimin zyrtar të PS-së lidhur me situatën politike në vend.


Shqipëri - Mali i Zi

Meta firmos tre marrëveshje

TIRANË- Tre marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar dje në Podgoricë, mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në kuadër të vizitës, që po zhvillon në shtetin fqinj, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.


Ky i fundit
dhe homologu i tij malazez, Milan Roçen -i, nënshkruan marrëveshjen mbi "Lëvizjen e ndërsjelltë të qytetarëve", Marrëveshjen e "Ripranimit" dhe marrëveshjen "Për rikonstruksionin, riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe sinjalistikave përgjatë kufirit shqiptaro-malazez".


Gjatë takimit të zhvilluar në Mal të Zi, kreu i diplomacisë shqiptare së bashku me atë malazez, theksuan se këto marrëveshje janë një hap më tej, sa i përket aspektit të sigurisë dhe stabilitetit, që krijohet në rajon.


Sipas dy diplomatëve, kjo shfaq mundësinë e parandalimit të trafiqeve ilegale apo lëvizjeve dhe qëndrimeve të paligjshme të personave në territoret e vendeve respektive. Lidhur me çështjen e kufijve, ministri i Jashtëm i Malit të Zi theksoi se vendi i tij nuk ka probleme me asnjë prej fqinjëve të tij, duke përfshirë edhe Kosovën.


"Është bërë njëherë ndarja administrative e kufijve dhe dihet tashmë se kush janë kufijtë shtetërorë. Ne nuk kemi probleme me Kosovën",- tha Roçen. Të dy krerët e ministrive të Jashtme deklaruan, se në të ardhmen do të hartohen edhe projekte të tjera të përbashkëta në fushat e mjedisit, energjetikës, arsimit dhe kulturës. Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, ministri i Jashtëm shqiptar takoi edhe Kryeministrin e këtij vendi, Milo Gjykanoviç.


Meta dhe Gjykanoviç, ranë dakord për hartimin e një strategjie të përbashkët për integrimin reciprok të dy vendeve në strukturat Euro-Atlantike, si dhe për ngritjen e Komitetit Ekonomik për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›