E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis gara e aktrimit në "Apollon ‘09"

Si çdo vit, sipari i festivalit mbarëkombëtar (tashmë ndërkombëtar) të aktrimit, "Apollon", është çelur nga trupa vendase e Fierit. "Si rruar, qethur", komedia me regji të Guri Koços dhe interpretimin e trupës së "Bylisit", e ngjitur premierë vetëm pak javë më parë, është mirëpritur nga publiku i festivalit. Më herët, pasditen e së hënës, ceremonia festive ka nisur në sheshin përpara teatrit "Bylis", ku ansambli i qytetit ka luajtur disa valle dhe këngë qytetare e popullore të trevës së Myzeqesë, por edhe të trevave të tjera. I kthyer tashmë në traditë, ky edicion i tetë i festivalit ka sjellë një tjetër ritëm për jetën artistike të qytetit. Gara e festivalit ka vijuar mbrëmjen e djeshme me trupën e Teatrit Kombëtar të Tiranës, me pjesën "Filumena Marturano". Pjesa e Eduardo de Filipos, me regji të Albert Mingës, interpretohet nga aktorët Yllka mujo, Bujar Asqeriu, Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Gjergji Mena, Olta Gixhari, Fadil Kujofsa dhe Nigela Ruka. Në ditët në vijim të këtij aktiviteti ndërkombëtar do të shfaqen edhe trupa të tjera që kanë ardhur nga Italia, Maqedonia, Rumania dhe Kosova. Nga Rumania, si garues në këtë festival vjen teatri "Aldavila", që do të sjellë për pjesëmarrësit pjesën e titulluar "Lady Capuletty", ndërkohë që trupa e Mantovanës do të vijë me "Virgjili dhe Dashuria". Drejtori i festivalit, Klajdi Marku, është shprehur se "Fieri është kristalizuar tashmë si një qytet i artit dhe i teatrove". Ndërsa njëri prej organizatorëve të këtij evenimenti kulturor, Adonis Filipi, ka theksuar se "profili i festivalit të sivjetshëm është ndërkombëtar, duke thyer kufijtë e trevave shqipfolëse. Qëllimi i festivalit është promovimi i vlerave të artit skenik. Festivali kërkon të sensibilizojë dhe prezantojë vlerat bashkëkohore të interpretimit. Parë në këndvështrimin social-kulturor, ai gjallëron së tepërmi jetën shpirtërore artistike të qytetit dhe rajonit. Tashmë ky eveniment është kthyer në një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën kulturore të Fierit, por për vetë artin dhe teatrin shqiptar". Finalizimi i këtij festivali do të bëhet mbrëmjen e së shtunës, kur do të shpërndahen edhe çmimet. Juria është me emra të përzgjedhur të artistëve vendas dhe të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›