Filipine, vriten 15 peshkatarë

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë në jug të Filipineve, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj tre varkave, ngjarje të cilën autoritetet e klasifikojnë si rivalitet për peshkimin.
Ngjarja ndodhi në provincën Basilan, që konsiderohet dhe si një fortesë e rebelëve myslimanë. Policia ka identifikuar disa të dyshuar të përfshirë, por deri tani askush s`është arrestuar.
Peshkatarët ndodheshin në bordin e tre varkave prej druri në ishullin Sibago, në Basilan, kur personat e armatosur në disa varka të tjera hapën zjarr ndaj tyre.
Viktimat ishin banorë të qytetit të Pagadianit, 160 kilometra në veri-lindje të Basilanit. Një peshkatar i mbijetuar deklaroi për policinë se disa herë më parë ata ishin paralajmëruar që të qendronin larg zonës ku ndodhi sulmi.