E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE miraton rezolutën për integrimin e Kosovës

Komisioni për politikë të jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar sot projekt-rezoluten e hartuar nga eurodeputetja Ulrike Lunacek për integrimin europian të Kosovës.
 

Anëtarët e Komisionit votuan të 209 amendamentet e hartuara nga eurodeputetja Lunacek e cila është njëkohësisht edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian.
 

Rezoluta rikonfirmon që Kosova të përfitojë nga liberalizimi i vizave nëse do të përmbushë të gjitha kushtet. Gjithashtu rezoluta përshendet edhe vendimin e dhjetorit të kaluar të Këshillit të BE-së i cili përcakton nisjen e dialogut për vizat pa paragjykim ndaj qëndrimit që kanë shtetet anëtare ndaj statusit të Kosovës.
 

Ministrat e jashtëm të BE-së kanë diskutuar gjithashtu për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por kryesisht për pritjet që BE-ja në muajin e ardhshëm t`i japë Serbisë statusin e kandidatit. Pasi rezultatet e mëtejshme në dialog janë kusht që Serbia të fitojë statusin e kandidatit, shumë ministra kanë insistuar që pa humbur kohë të vazhdohet ky dialog.

Në fjalën e saj përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Mendoj se kishte një ndjenjë të madhe optimizmi në Këshillin e punëve të jashtme që të shihnim Serbinë dhe Kosovën të ecnin përpara në raporte me Bashkimin Evropian. Mendoj se ka një dëshirë të madhe që të shohim Serbinë të përmbushë atë që kemi kërkuar ne, të vazhdojë dialogun me Kosovën, dhe të ecë përpara në mënyrë që të na mundësojë të marrim vendimin e favorshëm në muajin shkurt. Por ata duhet ta bëjnë këtë“, ka thënë Ashton. Ajo ka shtuar se nesër Robert Cooper, lehtësuesi i BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, do të udhëtojë në rajon, përfshirë edhe Beogradin, edhe Prishtinën, për të parë se çfarë mund të bëhet.

Mësohet se në debat është folur më shumtë për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë dhe se pothuajse të gjithë ministrat që kanë marrë fjalën kanë nënvizuar se Serbia meriton statusin e kandidatit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›