Filipoviq: Nuk jam spiun

Zëvendësministri i FSK-së, Slavisa Filipoviq, ka mohuar të jetë spiun i Serbisë, ashtu siç është kualifikuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama. Akuzat e kësaj deputeteje të bëra në Kuvendin e Kosovës, ai i ka cilësuar si propagandë ndaj personalitetit të tij.
E gjitha ka nisur kur deputetja Lama ka pyetur ministrin Agim Çeku, nëse është në dijeni se zëvendësi i tij po spiunon në Beograd, lidhur më përmbajtjen e armatimit për FSK-në, shkruan “Tribuna”.
Ky i fundit kishte pranuar se ka pasur shkëmbim të postave elektronike, por jo në ato që cilësohen në nivel të spiunazhit.
“Është e vërtetë që strukturat tona e kanë vërejtur një shkëmbim të postave elektronike të zëvendësministrit me një zyrtar të një partie politike në Beograd. Në atë shkëmbim e-mailash, kemi konstatuar se nuk ka pasur zbulim të sekretit të FSK-së. Ne kemi biseduar me zëvendësministrit dhe jemi sqaruar për këtë”, ka deklaruar Çeku.
Për këtë çështje për gazetën “Tribuna” është përgjigjur për herë të parë vetë zëvendësministri Slavisa Filipoviq. Ai ka thënë se asnjëherë që nga marrja e detyrës nuk ka dërguar letër elektronike në drejtim të autoriteteve të Serbisë./Indeksonline/