Sërish te kutitë

Qytetarët e Prizrenit dhe Lipjanit, për herë të tretë, do të shkojnë të dielën te kutitë e votimit për të vendosur se kush do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që balotazhi i dytë të zhvillohet pa probleme.
Në këto dy komuna, votimi fillon në ora 7 të mëngjesit dhe zgjatë deri në ora 19. Do të hapen 86 qendra votimi me 269 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 185 mijë e 933 votues. Procesi zgjedhor do të monitorohet nga 2 mijë e 811 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Të shtunën, KQZ’ja ka njoftuar se rezultatet preliminare për Prizrenin dhe Lipjanin do t’i kumtojë në ora 1:00 pasmesnate.
Koalicioni i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim” i ka bërë thirrje KQZ’së që të zbatojë rekomandimet e KZAP’së, siç është siguria dhe elemente të tjera që do ta përcjellin ditën e zgjedhjeve, për të pasur një proces sa më të rregullt zgjedhor.
Ky koalicion u ka bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe Lipjanit që të jenë pjesë e procesit të votimit.
“Demokracia në Veprim” do të ketë 300 vëzhgues, të cilët do të përcjellin të gjitha pikat e votimit në këto dy komuna.
Për ditën e sotme, Policia e Kosovës, në bashkëpunimin me Komisionin Qendror Zgjedhor, kanë hartuar një plan operativ të sigurisë, për të parandaluar çfarëdo incidenti. Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim në Policinë e Kosovës, Granit Fetahu, ka thënë se për mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor do të angazhohen 800 zyrtarë policorë.
Rivotimi në Prizren dhe Lipjan u vendos nga KQZ’ja, për shkak të disa parregullsive që ndodhën në raundin e dytë.
Më 15 nëntor dhe më 13 dhjetor, në Prizren ka prirë me vota kandidati i PDK’së, Ramadan Muja, kundrejt atij të LDK’së, Hanefi Muharremi. Po ashtu, edhe në Lipjan, kandidati i PDK’së, Shukri Buja, ka qenë para atij të LDK’së, Imri Ahmeti.
Katër kandidatët kanë përmbyllur të premten fushatën e tretë zgjedhore, duke premtuar projekte të ndryshme dhe duke ftuar qytetarët që t’i votojnë.