Fillim i mbarë

Kombëtarja e Shqipërisë i ka nisur shumë mirë kualifikimet për Kampionatin Botëror ‘Brazili 2012’.
Kuqezinjtë të premten mbrëma në Tiranë kanë shënuar fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e parë kualifikuese përballë Qipros me rezultat bindës, 3:1 – në kuadër të Grupit E.
Qipriotët u mbajtën fort mirë deri në minutën e 84-të, por atëherë u pushtuan dhe u shpartalluan nga dyshja sulmuese, Edgar Çani - Erjon Bogdani, të cilët ia dhuruan fitoren Shqipërisë duke i hedhë në festë të zjarrtë tifozët Shqiptarë.
Në fakt, pas disa përpjekjeve, kuqezinjtë kaluan në avantazh prej 1:0 në minutën e 37-të. Debutuesi nga Kosova, Alban Meha nga gjuajtja e lirë e dërgoi në zonë një top të rrezikshëm, të cilin në rrjetë e dërgoi Armando Sadiku, i ndihmuar nga qiprioti Konstantinou.
Para këtij goli, dhe pas tij, Shqipëria i pati edhe disa raste shënimi, por thuajse të gjitha ato i lëshoi Hamdi Salihi, ndërsa nga një shans tjetër e humbën Meha e Sadiku.
E kur të gjithë prisnin përfundimin e pjesës së parë, qipriotët e heshtën stadiumin ‘Qemal Stafa’, duke i barazuar shifrat në 1:1. Realizues ishte Laban, i cili nga gjuajtja e lirë e dërgoi drejt portës topin, i cili i zuri në huti futbollistët shqiptarë dhe portierin Ujkani, me ç’rast përfundoi në rrjetë.
Këtë rezultat e ruante mirë Qiproja, andaj trajneri i kuqezinjve Gianni De Biasi u detyrua të bëjë ndryshme në fazën e sulmit, duke i inkuadruar në lojë Çanin e Bogdanin. Në fund doli se italiani veproi mirë, ngase të dy ata ia dolën t’ia sjellin fitoren Shqipërisë.
Në minutën e 84-të, Çani e shfrytëzoi një harkim të Hykës, duke shënuar gol me kokë për rezultat 2:1. Vetëm dy minuta më vonë, Bogdani e realizoi një super-gol me një gjuajtje të fortë prej një distance të largët, për rezultat përfundimtar 3:1.
Kontribut në këtë fitore të Shqipërisë dhanë edhe dy futbollistët kosovarë, Alban Meha e Burim Kukeli, që debutuan për herë të parë me fanellën kuq e zi, edhe atë me plot sukses.
E kjo fitore e kënaqi De Biasin, për të cilin kjo ishte ndeshja e parë zyrtare si trajner i Shqipërisë.
“Fitoren ia dedikoj vajzës sime për 20 vjetorin e lindjes. Ishte ndeshje e vështirë, por fituam me meritë. Të gjithë luajtën mirë dhe u angazhuan shumë. Por duhet të rritemi si ekip, duhet të përmirësohemi në ato vështirësitë që i patëm përballë Qipros”, ka deklaruar pas ndeshjes De Biasi.
Duelin e radhës Shqipëria do ta zhvilloj të martën si mysafire e Zvicrës së pesë futbollistëve shqiptar.
Xhaka shënon për Zvicrën
Fitore të rëndësishme në Grupin E ka shënuar edhe Zvicra e Valon Behramit, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Blerim Xhemajlit e Admir Mehmedit që e mposhti si mysafire Slloveninë me rezultat 0:2. Golin e parë e ka shënuar pikërisht Xhaka, i cili ishte titullar me Shaqirin e Behramin, derisa Xhemajli ishte zëvendësues, kurse Mehmedi nuk ka luajtur fare.
Grupi E
Shqipëria – Qipro 3:1
Sllovenia – Zvicra 0:2
Islanda – Norvegjia 2:0
Tabela
1. Shqipëria 1 3
2. Zvicra 1 3
3. Islanda 1 3
4. Sllovenia 1 0
5. Norvegjia 1 0
6. Qipro 1 0