E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillimi i djathtë

Detaje të marrëdhënieve Rama-Berisha, prej grindjes për Ramiz Alinë, deri tek atentati që e largoi nga Shqipëria

Me rastin e 18 vjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, Berisha dhe Rama shkëmbyen replika në distancë mbi pjesmarrjen e këtij të fundit në atë lëvizje. Rreth këtyre replikave shkruajti një artikull para ca ditësh Mustafa Nano, i cili ka qënë anëtar i PD-së që në fillimet e saj. Në atë artikull, ai i kundërvihej deklaratës së Berishës se kundër pranimit të Ramës në PD kishte qënë ekstremi i djathtë i partisë.Dhe për këtë, Mustafai përdori fjalët që vetë Berisha ia kishte pas thënë në shtator 1991. Ndërsa unë, në rreshtat e mëposhtëm, do i kundërvihem deklaratës së sipërpërmendur nga pozicioni i njeriut që ka qënë dëshmitar okular i ngjarjeve të treguara sot me deformim prej Berishës.

Në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pesë njerëz në Shqipëri ishin shprehur publikisht për ndryshime rrënjësore të sistemit komunist. Ylli Popa dhe Sali Berisha, me artikujt e tyre në gazetat kryesore, kishin sugjeruar lejimin e pluralizmit politik; Gramoz Pashko dhe Fatos Nano, në intervistat e dhëna tek “Zëri i Amerikës”, kishin sugjeruar lejimin e ekonomisë së tregut; ndërsa Edi Rama, në serinë e bisedave publike të organizuara prej tij në Institutin e Lartë të Arteve, kishte sugjeruar lejimin e të dyjave. Në fund të asaj vjeshte, kur Ramiz Alia u dha lejen studenteve të revoltuar që të krijonin partinë e tyre të pavarur, Y. Popa dhe F. Nano nuk preferuan ose nuk guxuan të bashkoheshin me studentët; S. Berisha dhe G. Pashko u bashkuan me ta; ndërsa E. Rama, megjithë dëshirën e madhe për t’u vënë në krye të lëvizjes studentore, nuk arriti dot ta bënte këtë – rastësia e deshi që, pikërisht kur revolta e studentëve arriti kulmin, ai të ishte në Korfuz për një ekspozitë ku ishin ekspozuar disa punime të tij.

Kur u kthye nga Korfuzi, Rama pati dhe përplasjen e parë me Berishën. I etur për të qenë protagonist në partinë e parë politike që do t’u kundërvihej komunistëve, nga Kakavija, Rama e mbajti frymën drejt e tek Qyteti Studenti në Tiranë, i cili ishte në atë kohë qendra e të sapokrijuarës Parti Demokratike. Pavarësisht nxitimit me të cilin erdhi nga Greqia, Ramës i rezultoi të ishte vonë për t’u vënë në krye të Demokratëve – mbledhja që kishte krijuar strukturat udhëheqëse të PD-së sapo kishte mbaruar kur ai u fut në Pallatin e Kulturës të Qytetit Studenti.

Sidoqoftë, Rama e sfidoi Berishën duke e kritikuar hidhur për falenderimet publike që i kishte drejtuar Ramiz Alisë, si dhe për thirrjet “Rroftë Presidenti Alia” në mitingun e parë të PD-së. Pas një shkëmbimi të tensionuar batutash midis Berishës dhe Ramës, u desh ndërhyrja brutale e Pashkos që Rama të ndërpriste debatin me Berishën dhe të linte sallën i revoltuar.

Pak vite më vonë, duke rikujtuar atë incident, Berisha do t’u shprehej në konfidencë bashkëpunëtorëve të tij se “përzënia e Edi Ramës kishte qenë e vetmja e mirë që PD-ja kishte patur nga Pashko”. Ndërsa muaj më vonë, Rama do t’u shprehej miqve të tij se “po të kishte qenë në Shqipëri në ditët kulmore të lëvizjes studentore, padyshim do të ishte vënë në krye të saj, dhe ndryshe nga Azem Hajdari, i cili natën e 11 dhjetorit e mirëpriti bashkëpunimin me Berishën, do ta kishte përzënë doktorin me motivacionin se dy netë më parë ishte paraqitur tek studentet si emisar i Ramiz Alisë”.

Sfida e Ramës ndaj Berishës nuk u shua me incidentin tek Qyteti Studenti. Në mitingun e parë antikomunist jashtë Qytetit Studenti (mbajtur në sheshin para stadiumit “Qemal Stafa”), Rama, duke u bërë njeriu i parë në Shqipëri që po atakonte publikisht figurën e Enver Hoxhës, mori brohoritjet e zjarrta të pjesëmarrësve në atë miting me batuta të tilla si “Enveri na bëri të kuq si rusët, të verdhë si kinezët, jeshilë si bari”, etj. Ato brohoritje demonstruan se ai e kishte karizmën dhe mesazhin politik që do t'i duheshin për të fituar të paktën 90% të zemrave të anëtarëve dhe simpatizanteve demokratë të asaj kohe. Ato ishin pra edhe një paralajmërim për Berishën se Rama mund të bëhej një konkurrent serioz në qoftë se do të lejohej të futej në strukturat udhëheqëse të PD-së.

Përpjekja e fundit e Ramës për t’ia marrë Berishës kalanë nga brenda u bë në fillim të shkurtit 1991, gjatë një mbledhje publike të PD-së me intelektualët e kryeqytetit. Në atë mbledhje Rama atakoi direkt Berishën duke thënë se “është absurde që partia që synon t’i marrë pushtetin Partisë së Punës, të ketë në krye të saj ish-sekretarë të Partisë së Punës”. Megjithëse kjo ishte një sfidë serioze publike që i bëhej Berishës, ai arriti ta anashkalojë atë pa shumë pasoja si rezultat i ashpërsimit që kishte pësuar fjalori i tij antikomunist në dy muajt që nga mitingu i parë i PD-së.

Duke e parë të pamundur çarjen e murit të krijuar në PD, Rama e vazhdoi sfidën ndaj Berishës duke u përpjekur të krijonte një parti të re, e cila do të pozicionohej më djathtas se PD-ja, dhe e cila do t’ia merrte eventualisht elektoratin asaj. Në bashkëpunim me Ardian Klosin, Spartak Ngjelën, Kasem Trebeshinën, dhe Gavrosh Levonjën, Rama, në pranverën e '91-shit, konturoi partinë e re, e cila u quajt Partia Popullore Fetare.

Sipas projektit të Ramës dhe miqve të tij, kjo parti do të kishte disa fraksione, të cilat do të përfaqësonin shtresa të ndryshme antikomuniste. Kështu, një fraksion do të përfaqësonte intelektualët e rinj antikomunistë, ndërsa një tjetër ish-komunistët e burgosur nga regjimi i E. Hoxhës; një fraksion do të përfaqësonte ish-ballistët, ndërsa një tjetër ish-zogistët; nje fraksion do të përfaqësonte demokristianët, ndërsa një tjetër demoislamikët.

Në fillim të qershorit 1991, pas një pune intensive të grupit nismëtar, u arrit të organizohej një mbledhje themeluese e Partisë Popullore Fetare në Pallatin e Kulturës të Tiranës, e cila rezultoi e suksesshme. I frikësuar ndoshta nga kjo parti e re, Berisha i kërkoi grupit të tij parlamentar që të aprovonte një nen në ligjin mbi partitë, i cili do të ndalonte krijimin e partive me baza fetare. Duke gjetur dhe mbështetjen parlamentare të PPSH-së, Berisha arriti ta pengojë regjistrimin zyrtar të Partisë Popullore Fetare.

Përpjekjen e fundit për legalizimin e partisë së tyre, Rama dhe miqtë e tij e bënë në 22 qershor 1991, ditën kur Xhejms Bejker, sekretari amerikan i shtetit, vizitoi Tiranën. Me ndihmën e Sejfi Protopapës, një emigrant politik shqiptar në SHBA, ata arritën të siguronin që partia e tyre akoma e palegalizuar të merrte pjesë në takimin e Bejkerit me përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare.

Duke e patur të qartë se ai takim do t’i shërbente Bejkerit për të finalizuar se kë parti ia vlente të mbështeste Amerika, grupi nismëtar i Partisë Popullore Fetare mendoi të dërgonte si përfaqësues Ardian Klosin, të vetmin njeri që kishte kryer studime jashtë Shqipërisë dhe që e fliste rrjedhshëm anglishten. Zgjedhja e birit të Bilbil Klosit si përfaqësues i tyre, nuk i pëlqeu ish-të burgosurve politikë të partisë, të cilët zgjodhën një përfaqësues të vetin për takimin me Bejkerin. Por përfaqësuesi i ish-të burgosurve rezultoi inefektiv – ai jo vetëm që nuk i dorëzoi Bejkerit një deklaratë të sugjeruar prej Sejfi Protopapës, por as nuk arriti të parashtrojë qartë se ç'përfaqësonte partia e tij. Ai vetëm citoi disa vargje nga Kurani dhe Bibla, me të cilat shprehu admirim për Bejkerin, dhe që u shuan si shkuma në det pa bërë as gjënë më të vogël për partinë e re. Me dështimin e kësaj përpjekje, Rama nuk u përpoq më t’ia merrte krahët Berishës nga e djathta.

Sulmet e Ramës kundër Berishës vazhduan kryesisht nëpërmjet artikujve tek gazeta “Koha Jonë”, e cila atëherë anonte majtas. Artikujt ishin aq të ashpra, sa dukeshin si të shkruara me acid e jo me bojë. Duke patur parasysh atmosferën që mbizotëronte në Shqipëri gjatë viteve të fundit të qeverisjes së Berishës, nuk do të ishte një imagjinatë e çartur po të hamendësohej se aciditeti i atyre artikujve u bë shkak për rrahjen çnjerëzore që e detyroi Ramën të ndërpriste duelin me Berishën, duke u larguar nga Shqipëria.

Do të duhej të vinte në pushtet Fatos Nano, një tjetër kundërshtar i betuar i Berishës, që Rama t’i rikthehej duelit të vjetër. Ftesa që i bëri Nano për t’u bërë anëtar i qeverisë së socialistëve i dha mundësinë Ramës për t’u bërë përsëri protagonist në skenën politike shqiptare. Ndërsa zgjedhja e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, e vulosi përfundimisht vendosjen e tij përballë Berishës në kampin e majtë të politikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›