E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kemi 4 javë pa mësim

Student/Mbi situatën me studentët e Shkencave Sociale, ende pa ambiente mësimi

Nëse analizojmë problematikat që kanë shoqëruar arsimin në Shqipëri gjatë kësaj periudhe tranzicioni, nuk do mjaftonin vetëm disa rreshta. Por, ky shkrim rrok vetëm konfuzionin e shkaktuar nga paaftësia e shtetit për të siguruar ambiente normale mësimore universitare. Në dy fakultete, në atë të Shkencave Sociale dhe Fakultetin Juridik, siç edhe është njoftuar në media, nuk mund të bëhet mësim për shkak të plasjeve nëpër muret e godinës. Godina në fjalë (ku deri pak kohesh bëhej mësim) dhe ku ato muret e saj mjerane kishin që prej 2005 në atë gjendje. Frika u sendërtua vetëm pas rrëzimit të pallatit të banimit në Gjirokastër.

Pas protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, u duk se diç lëvizi: Erdhi një prononcim i rektorit Kule, i cili premtoi zgjidhje: Ditën e martë duhet të fillohej mësimi. Por e marta e parë pas asaj dite të enjte që premtoi rektori, erdhi dhe iku. Studentët e Shkencave Sociale ende nuk kanë ambient për mësim. Pa mësim kaloi edhe e mërkura, s’ka shenja as për të premten që mund të bëhet mësim. Presim të martën tjetër. (tashmë qarkullon si anekdotë që, enkas, rektori nuk na e tha për cilën të martë bëhej fjalë).

Nuk janë kërkesa të parealizueshme këto që ne studentët po kërkojmë sot: Janë kërkesa më se të arsyeshme. Kërkojmë rikthimin në mësim dhe mos-shpërdorimin e kohës, që për të gjithë është aq e vlefshme. Mos duhet të rikthehemi si në periudhën e helene, kur Aristoteli merrte studentët dhe i rrihnin problemet dhe idetë filozofike lulishteve e lëndinave? Kaq e vështirë qenka për ministrinë për të na siguruar ambiente? Nëse nuk gjendet një ambient normal në këto kushte, sa fleksibiletet do tregohej nga ana e qeverisë, mos o zot, në raste fatkeqësie natyrore?

Është e gjithëpranuar sot, se në themel të kulturave qëndron arsimi. Sa për të marrë vetëm një shembull, Bundestagu Gjerman miraton vetëm për një vit dhe vetëm për nivelin parashkollor, 2 miliardë euro buxhete. E bëjnë këtë, pikërisht, sepse e dinë që investimi cilësor edukativ tek fëmijët do japë frute të mira në vitet pasardhëse.

Në Shqipërinë tonë, kundërtohen vepra me kosto të jashtëzakonshme, nuk gjendet një zgjidhje për studentët, që sorollaten me shpenzime e ngarkesa shtesë prej 4 javësh. Në analizë të fundit, autputi përfundimtar është ky: Që ne studentët akoma jemi pa mësim dhe shtetarët tanë akoma ngrohin kolltukët e tyre luksozë, atribut i votave tona, pa i vrarë në ndërgjegje, kjo paaftësi flagrante për t’i dhënë zgjidhje një problemi kaq të prekshëm e kaq emergjent.

Ku janë shifrat astronomike që të lënë pa mend, në reklamat televizive që qeveria paguan me paratë e buxhetit? Pse nuk investohen ca nga ato përfitime për të na dhënë zgjidhje? Ose fundja, pse nuk kursehen ca nga paratë e propagandës?

*Autori është student për Shkenca Politike / UT

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›