E Shtunë, 31 Tetor 2026

Industria e makinave, plani i shpëtimit rrëzohet në Senat

Në senatin amerikan kanë dështuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje shpëtimi për industrinë amerikane të prodhimit të makinave.

Senatorët po diskutonin marrëveshjen e propozuar me vlerë 14 miliard dollarë, që kishte si qëllim të ndihmonte kompanitë Chrysler, General Motors dhe Ford, të cilat kanë pësuar një ulje të shitjeve prej krizës financiare.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Harry Reid tha se ishte shumë i zhgënjyer nga rezultati. Shtëpia e Bardhë tani duhet të shikojë opsione të tjera për të ndihmuar industrinë amerikane të makinave.

Lajmi solli rënie të thellë të vlerave të aksioneve në Japoni, Tajvan, Korenë e Jugut dhe Australi. Aksionet e kompanive Toyota, Nissan dhe Honda të gjitha pësuan rënie.

Ashtu si kompanitë amerikane, ato janë goditur nga rënia e shitjeve në të gjitha tregjet e tyre kryesore.

Korrespondenti i BBC-së në Tokjo thotë se rrënia e një kompanie të madhe si General Motors, që ka paralajmëruar se përballet me mundësinë reale të falimentimit, do të ishte me të vërtetë e keqe për japonezët.

Kompani si Toyota, Nissan dhe Honda përdorin shumë nga furnizuesit e pjesëve të makinave si kompanitë amerikane dhe ky bashkëpunim u kursen atyre para.

Për më shumë, falimentimi i një kompanie amerikane mund të çojë në reagime negative ndaj rivalëve të tyre të huaj, që tani gëzojnë qasje të lehtë në tregjet amerikane dhe lehtësime të mëdha nga taksat.

Toyota po zvogëlon prodhimin në fabrikat e saj në SHBA, por nuk planifikon të pushojnë nga puna ndonjë pjesëtar të stafit që punon me kohë të plotë. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›