Fillojnë me arka

Të gjitha bizneset kosovare që nuk i kryejnë obligimet tatimore ndaj shtetit, do ta kenë vështirë operimin e tyre gjatë vitit 2010.
Administrata Tatimore e Kosovës duket se kësaj here e ka seriozisht. Zyrtarë të saj bëjnë të ditur se është në përfundim e sipër projekti për aplikimin e arkave fiskale. Dy operatorë për montimin e pajisjeve elektronike veçse janë zgjedhur, ndërsa shumë shpejt pritet edhe i treti. Behxhet Haliti, drejtori i ATK-së, thotë se janë në pyetje javët kur do të fillojë implementimi i këtij projekti.
“Ne si ATK jemi të gatshëm për vendosjen e arkave fiskale. Po presim vetëm përzgjedhjen e operatorit të tretë dhe brenda javësh do të fillojmë me këtë projekt”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, operatorët e licencuar janë në përgatitje e sipër dhe në pritje të certifikimit të pajisjeve elektronike fiskale, nga laboratori për testimet teknike. Pas certifikimit të pajisjeve, do të fillojë edhe montimi i tyre te tatimpaguesit në gjithë Kosovën. Ndërkaq, kategorizimin e bizneseve që do të pajisen me arka fiskale, e bënë ATK-ja.
“Aktivitetet e Laboratorit teknik pritet të fillojnë pas mesit të janarit të këtij viti, çka premton se certifikimi i pajisjeve ka filluar po këtë muaj, prej kur edhe mund të llogaritet fillimi i aplikimit të arkave fiskale”, shtoi Haliti.
Për komunitetin e biznesit, ky hap i ATK-së ndonëse i vonuar, mirëpritet.
Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike, thotë se aplikimi i arkave fiskale do të kontribuojë si mekanizëm për uljen e ekonomisë joformale.
“Gjithashtu do të kontribuojë në mbrojtjen e konkurrencës”, tha Rukiqi.
Sipas tij, shumë biznese që paguajnë me rregull tatimin dëmtohen nga ato që iu ikin tatimeve. Ndërsa me arka fiskale ky problem do të zgjidhet. Rukiqi thotë se sikur shumë procese të tjera, edhe ky për arkat fiskale është pak i vonuar.
Edhe Shpend Ahmeti, drejtor i institutit “GAP’, thotë se përveç luftës kundër ekonomisë joformale, arkat fiskale zvogëlojnë edhe hapësirën për korrupsion.
“Ekonomia joformale, jo vetëm që shkakton humbje për buxhetin e Kosovës, por edhe mungesë të informatave mbi sektorin privat, që nuk na lejon t’i bëjmë politikat e duhura për ta vlerësuar ekonominë kosovare”, tha Ahmeti.
Ndryshe, këtij hapi të ATK-së i ka paraprirë pajisja e bizneseve me numra fiskalë. Zyrtarë të saj tregojnë se këtë numër deri tani e kanë mbi 36 mijë biznese, kurse pajisja e bizneseve ekzistuese dhe atyre të reja do të jetë proces në vazhdimësi.
“Ky proces do t’i mundësojë ATK-së, të identifikojë saktë tatimpaguesit dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore nga ana e tyre”, tha Haliti.
Në fillim të vitit 2009, ATK-ja pati filluar projektin provues që është zbatuar në dhjetë biznese, të cilat i kanë vendosur vullnetarisht arkat fiskale.
ATK-ja bashkë me MEF-in vitin e kaluar formuan grupin punues për hartimin e akteve ligjore me të cilat detajohen edhe procedurat e implementimit të këtyre arkave. Infrastruktura ligjore tashmë është e kompletuar. Gjithashtu nga buxheti i Kosovës për vitin e kaluar janë ndarë mbi një milion euro për përgatitjen e terrenit para fillimit të vendosjes së këtij mekanizimi fiskal.
Ndërkaq, në mungesë të deklarimit të kënaqshëm të tatimeve të bizneseve në ATK, buxheti i Kosovës vazhdon të mbushet nga të hyrat që grumbullohen në Doganat e Kosovës. Administrata Tatimore për vitin 2009 ka realizuar 206 milionë euro të hyra.