E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritëhijet e një operacioni, pas sulmeve nga ana e qeverisë

Shitja

Besnik Sulaj heq dorë nga kazinoja, grekët e “Regency” ia shesin një ndërtuesi
Besnik Sulaj nuk do të ketë më pjesë në aksionet e kazinosë më të madhe, “Regency”, pjesë në kompleksin argëtues “Tajvan”. Sulaj ua ka shitur aksionet zotëruesve kryesorë, kompani greke, e cila më pas ia ka ofruar Agron çelës, i njohur në fushën e ndërtimit. Tashmë presidenti i ekipit të futbollit Dinamo, nuk do të jetë më zotëruesi i rreth 30 për qind të aksioneve, por thjesht do të përfitojë qiranë nga shfrytëzimi i hapësirës së një pjese të “Tajvanit” nga “Regency Casino”.
Kompleksi “Tajvan” është ngritur në vitin 2004, duke shfrytëzuar edhe një pjesë të parkut “Rinia”, në përputhje të plotë me ligjin dhe vendimet e qeverisë. Për tokën ku shtrihet shatërvani, pronarët e kompleksit morën leje nga bashkia, paguan pronarët e tokës, si edhe certifikuan veprimet, duke bërë hipotekimin. Edhe pse çdo gjë u krye me leje të shtetit, pas 8 vitesh, qeveria kujtohet dhe nxjerr pretendimin se çmimi i tokës nuk përputhej me vlerën e tregut. Mjafton ky shkak dhe Kryeministri merr vendimin për t’ia kaluar pronën nga bashkia, te ministria dhe duke i hapur rrugë shpronësimit. Vendimi hyri në fuqi në fund të muajit dhjetor 2009, por nuk mund të zbatohet, pasi bashkia e ka ankimuar në gjykatë.
Problemet e biznesmenit Sulaj me shtetin nuk përfundonin me shpronësimin e tokës, që ai e bleu me vendim qeverie. Gazeta mëson faktin se në muajin dhjetor, tatimet e kanë gjobitur me 1.2 milionë euro, për shkak të disa detyrime. Gjatë gjithë vitit 2009, kazinoja ka qenë pjesë e aksioneve të njësisë së mbikëqyrjes së lojërave të fatit, duke i mbyllur aktivitetin, bllokuar lojërat elektronike dhe shkatërrimin e makinerive. Po ashtu, në dy vitet e fundit, Ministria e Financave ndryshoi tri herë ligjin për “Lojërat e fatit”, duke rritur taksat disa herë, duke vënë në vështirësi biznesin e kazinosë në qendër të Tiranës.
Vetë Kryeministri Berisha e ka akuzuar Besnik Sulajn si pjesë e klanit të kreut të Bashkisë Tiranë, duke përfituar leje ndërtimi.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›