E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi deklaron falimentin për ti shpëtuar TVSH-së

Në Fier, 100 biznese shpallin procedurën e mbylljes së aktivitetit

Afro 100 subjekte të biznesit të vogël kanë shpallur falimentin. Kjo deklaratë ka ardhur jo vetëm nga zyrat tatimore të Bashkisë Fier, por dhe nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, si edhe prej Drejtorisë së Tatim Taksave, dega Fier. Ka qenë Elvis Hoxhaj, drejtori i departamentit të shërbimeve në Drejtorinë Rajonale të Tatim-Taksave dega Fier, që konfirmoi shifrën. “Janë 100 subjekte të biznesit të vogël që kanë shpallur falimentin. Vlen të theksohet se të gjitha këto subjekte janë në listën e atyre bizneseve që do të kalojnë nga biznese të vogla në ato të mëdha”, tha Hoxhaj.
Këtë falimentim e ka paraprirë muaj më parë edhe vetë kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, i cili, përveç shqetësimit që ligji i ri i qeverisë i hoqi arkëtimet e këtyre bizneseve (230) nga buxheti i bashkisë në atë të qeverisë, ka deklaruar se shumica e tyre, për të mos thënë të gjithë, do të falimentojnë, pasi detyrimet janë më të mëdha dhe hapësira e fitimit dhe e mbajtjes së biznesit bëhet shumë herë më e vogël dhe e papërballueshme. Pavarësisht kësaj, këto biznese, edhe pse duhet të mbyllin dyert e aktivitetit të tyre, nuk duhet që të shmangin detyrimet ligjore, madje, sipas Hoxhës, ky është dhe qëllimi i këtyre bizneseve, por që nuk do të lejohet prej tyre.
“Pavarësisht falimentimit të tyre të shpallur tashmë të gjitha këto subjekte duhet që të likuidojnë detyrimet ligjore dhe më pas të vazhdojnë normalisht procedurat e mbylljes. Ata duhet që të shlyejnë të gjitha detyrimet karshi shtetit, detyrimet tatimore dhe nuk duhet t’u shmangen atyre”, thotë drejtori i departamentit të shërbimeve në degën tatimore të Fierit. Në bazë të ligjit të ri tatimor, bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, klasifikohen si biznese të mëdha, duke u futur në skemën e TVSH-së.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›