E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon Kamerfest

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Kamertale ‘Kamerfest’ u hap të hënën me dy pianistë italianë, ndërsa deri më nëntë nëntor, sa do të zgjasë, do të mbahen nëntë koncerte të tjera.

Italianët e hapën dhe po ashtu italianët do ta mbyllin. Piano Duo nga Italia, Marco Sollini dhe Salvatore Barbatano, mbrëmjen e së hënës, performuan në një koncert në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në kuadër të hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale ‘Kamerfest’. Do të jenë artistët italianë, Giovani Lanzini – klarinet dhe Fabio Montomoni – kitarë, ata që do ta mbyllin këtë festival.

Dy pianistët italianë performuan, së bashku në një piano, muzikë nga Johann Sebastian Bach, Gyorgy Kurtag, Sergej Rachmaninov dhe Franz Liszt. Në epiqendër të këtij koncerti qe kompozitori rus Rachamninov, prej të cilit qenë gjashtë vepra që u përforcuan nga pianistët italianë.

“Ky është programi i njëjtë që e kemi bërë në CD të re, që ka dalë këto ditë”, tha më këtë rast, Marco Sollini, njëri prej pianistëve italianë.

“Është hera e parë që jemi këtu në Kosovë. Jemi të lumtur që jemi këtu dhe na vjen mirë që na u dha rasti ta hapim festivalin. Kemi ardhur këtu përmes një bashkëpunimi të Kamerfest dhe festivalit italian Armonie della Sera”, shtoi ai.

Dy italianët që vijnë nga një qytet afër Ankonës do të qëndrojnë katër ditë në Kosovë, pasi që do të mbajnë edhe workshope, e prej këtu do të udhëtojnë drejt Hungarisë, ku do të mbajnë një koncert në Budapest. Sollini tregoi se ka dhjetë vite që luan së bashku me Barbatanon nëpër koncerte.

Ndërsa, Sihana Badivuku, drejtoreshë e Kamerfest, tha se ky festival, i cili deri më nëntë nëntor do të mbajë nëntë koncerte, që 13 vjet bashkëpunon me mbi 15 festivale.

“Këtë vit kemi bashkëpunim edhe me dy festivale spanjolle, njëri në Palma de Mallorca që është i ngjashëm si Kamerfesti dhe një në Girona. Pastaj kemi bashkëpunim me disa festivale nga Italia, Franca, Maqedonia, Norvegjia etj.”, tha Badivuku.

Në këtë edicion do të jetë hera e parë që hyrja do të jetë me pagesë në disa prej koncerteve, përpos atyre që do të mbahen në Kishën Katolike. Për të rritur do të jetë bileta 3 euro ndërsa 2 euro për studentë dhe nxënës. Kjo për shkak se është bërë princip edhe nga Filarmonia e Kosovës që koncertet të jenë me pagesë. Badivuku tregoi se përjashtim do të ketë edhe Opera Kamertale e Dresdenit, që do të mbajë koncert me 11 tetor, pasi që është mbështetur nga Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe në këtë mënyrë hyrja do të jetë falas.

“Jam munduar që të kemi një program sa më të larmishëm në këto nëntë mbrëmje koncertale që do të mbahen gjatë tetorit dhe nëntorit”, tha ajo.

Ajo theksoi se është e kënaqur me interesimin e publikut.

“Nëse e krahasojmë me festivalet tjera europiane shohim se atje kryesisht dominon mosha më e shtyrë, ndërsa të ne rinia është më e pranishme në koncerte”, u shpreh Badivuku.

Sonte, po në Sallën e Kuqe, duke filluar në orën 22:00, do të performojnë artistët spanjollë Anna Ferrer – piano dhe Eugenia Boix – soprano.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›