E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon asfaltimi në galerinë jugore të tunelit të Kalimashit

Kukës Paralelisht ka nisur instalimi i pajisjeve dhe trajnimi i zjarrfikësve të tunelit

Pas shumë përpjekjesh dhe vështirësish, që për më tepër ngjallën një debat të pazakontë, tuneli i Kalimashit tashmë po bëhet gati për funksionim. Me dy makineri moderne dhe një ekip të specializuar ka nisur asfaltimi i trasesë së tunelit në të dyja krahët, për t’u takuar pas pak ditësh në mes, ku do të shënohet edhe përfundimi i galerisë.

Punimet

Në portën lindore të galerisë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për prodhimin e asfaltobetonit. është siguruar më herët e gjithë lënda e parë dhe gjithçka që nevojitet. Një inxhinier turk i tunelit tha me një shqipe mjaft të kuptueshme se ishte vetëm çështje ditësh dhe galeria do të jetë e përfunduar plotësisht. “Dje përfunduam të gjithë shtrimin me stabilizant, si dhe drenazhimet dhe tubacionet për instalime të ndryshme. Tashmë në tunel do të mbeten për t’u kryer vetëm punime të instalimeve elektrike etj.”, tha inxhinieri, duke shtuar se pas datës 15 maj mendohet që një pjesë të forcave, si dhe makineritë, do të përqendrohen në galerinë veriore.

Praktika e shtrimit me asfalt e tunelit, ashtu si edhe traseja e rrugës, është intensive. Një makineri shtron afërsisht një kilometër në ditë në një korsi. Specialistët e tjerë, sipas profilit, kanë bërë gati mjetet e duhura teknike për të instaluar rrymën elektrike, kamerat e sigurisë, ajrimin dhe gjithçka tjetër. Punimet e instalimit në galeri, siç pohojnë kompetentët, marrin disa ditë, por gjithsesi inxhinierët thonë se do të respektohet data 21 maj, si datë e përfundimit të galerisë dhe e fillimit të funksionimit të vetë autostradës. Më herët, menaxherët e tunelit kanë thënë se një nga pengesat pse data e përfundimit të tunelit u shty kaq shumë, ishin edhe kalimet e paligjshme në tunel të pushtetarëve dhe njerëzve me influencë që e kanë penguar punën.

Zjarrfikësit

Në qytetin e Kukësit, paralel me asfaltimin e tunelit, ka nisur një trajnim i zgjeruar i zjarrfikësve që do të punojnë në tunel. Janë rreth 30 punëtorë, të cilët të paktën që nga qershori i vitit të shkuar janë pajtuar si zjarrfikës dhe që mbajnë në kujdestari tunelin dhe jetën e udhëtarëve. Trajnues për zjarrfikësit e tunelit të Kalimashit janë një ekip i specializuar nga Izmiri i Turqisë, me përvojë në një profesion të tillë. Trajnimi, siç mësohet nga ekipi përgjegjës, është parashikuar të zgjasë deri në datën 20, me qëllim që në ditën e hapjes së tunelit edhe ata të jenë gati për ta marrë në dorë situatën. Në tunel parashikohet të lëvizin mijëra automjete në ditë, ndërsa zjarrfikësit kanë për detyrë që në raste aksidentesh të shmangin zgjerimin e dëmit dhe të shpëtojnë jetën e njerëzve. Pas pjesës teorike brenda sallave, zjarrfikësit do të praktikojnë në terren, konkretisht në tunel, raste të improvizuara të zjarreve, si dhe veprimin e shpejtë deri në sakrificë për të shpëtuar njerëzit.

Mbikalimi

Ndërsa makineritë e “Bechtel-Enka”-s shtrojnë asfaltin në tunel, qindra mjete marrin rruginën e malit për të kaluar nga njëri skaj i tunelit në skajin tjetër. Shoferët tregojnë se drejtimi Kukës-Tiranë funksionon disi më lehtë se sa drejtimi Tiranë-Kukës. Në malin e Thirrës në zbritje, gati të gjitha mjetet e tipit furgonë dhe autovetura jo shumë të ulëta e përshkojnë rrugën duke zbritur në segmente të caktuara pasagjerët. Por ngjitja drejt malit të lartë nga Thirra në Kalimash përbën për mjetet një sfidë jo aq të lehtë. Dhjetëra mjete mbeten çdo ditë në mes të ngjitjes, nga ku duhet vetëm tërheqja me kavo për t’i nxjerrë. “Bechtel-Enka” ka dërguar dy mjete të rënda, të cilat kanë sistemuar disa vende problematike të rrugës në zbritje të Thirrës, por asnjëherë nuk ka bërë aq sa është dashur që distanca prej rreth 14 km e mbikalimit të përshkohet pa shumë probleme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›