Fillon fushata në Britani

Partitë kryesore në Britani filluan atë që mund të dëshmohet si fushatë e gjatë dhe e ashpër zgjedhore, duke ju premtuar votuesve vite të tëra të “shtrëngimit të dhëmbëve”, në vend të premtimeve të zakonshme zgjedhore.
Konservatorët në opozitë, të kryesuar nga David Cameron, konsiderohen si favorit për t’i dhënë fund pushtetit 13 vjeçar të Partisë Laburiste, të kryesuar nga kryeministri aktual, Gordon Brown.
Popullariteti i laburistëve është minuar për shkak të recesionit të thellë, për shkak të luftës në Afganistan dhe skandalit në lidhje me shpenzimet e politikanëve.
Por analistët kanë theksuar se konservatorët kanë dështuar që të sigurojnë një epërsi të mjaftueshme në anketat e opinionit publik, sa për të theksuar qysh tani se ata do të sigurojnë shumicën absolute në parlament, në zgjedhjet të cilat pritet të zhvillohen në fillim të majit.
Ata theksojnë se “parlamenti pezull”, në të cilën asnjëra parti nuk do të ketë shumicën absolute, është një mundësi mjaft reale.
Kjo mundësi po frikëson tregjet financiare, ngase frikësohen se qeveria e pakicës apo e koalicionit do të jetë tejet e dobët për të ndërmarrë aksion të vendosur, me qëllim që të ndalet deficiti gjithnjë e më i madh në buxhetin e Britanisë.
Borxhi publik këtë vit pritët të ngritët në 287 miliardë dollarë, pasi që Brown po shpenzon shumë, për të lëvizur vendin përtej recesionit, i cili ka ndikuar që prodhimi deri me tani të shënojë një rënie prej 6 për qind.
“Mendoj se gjasat për parlamentin pezull po shtohen, nëse konservatorët nuk arrijnë të fitojnë mbi 40 për qind të votave”, thotë Simon Lee, profesor i shkencave politike në Universitetin Hull.
Sidoqoftë, Lee beson se shumica e ngushtë e konservatorëve me gjasë është epilogu më real i zgjedhjeve.
Brown është akuzuar se ka planifikuar një strategji zgjedhore të “luftës mes klasave”, pasi që akuzoi konservatorët muajin e kaluar se po shohin ëndrra me politikën e tyre tatimore.
Cameron është edukuar në Eton, në një prej shkollave më ekskluzive private në Britani, e më pas në Universitetine Oxfordit dhe ka sfondin e një njeriu të privilegjuar.
Për dallim, Brown, i cili si pasojë e një aksidenti sportiv ka humbur një sy, theksoi javën e kaluar se ka qenë i detyruar që të luftojë për çdo gjë që ka arritur në jetën e tij.
Menjëherë pas kremtes së Vitit të Ri, laburistët dhe konservatorët filluan garën e tyre zgjedhore.
Konservatorët, të cilët fushatën e nisën të shtunën e kaluar, publikuan kaptinën shëndetësore të programit të tyre zgjedhor, duke premtuar se burimet do të përqendrohen në rajonet më të varfra me problemet më të mëdha shëndetësore.
Ministri laburist i Financave, Alistair Darling, sulmoi atë që e cilësoi si vrimë të financimit, në planin e konservatorëve për tatime dhe shpenzime, në vlerë prej 34 miliardë funte. Cameron hodhi poshtë akuzat e Darlingut, duke i cilësuar ato si “gjepura që nga fillimi deri në fund”.
Në strategjinë e pazakonshme për një parti në opozitë, konservatorët po kërkojnë reduktimet e thella dhe urgjente në deficit dhe nuk fshehin faktin se për këtë do të nevojitet një reduktim i dhimbshëm i shpenzimeve.
Laburistët janë më pak ambicioz, planifikojnë që të përgjysmojnë deficitin gjatë katër viteve të ardhshme, por gjithashtu parashikojnë edhe vështirësi gjatë viteve në vijim.
“Nuk e fsheh aspak faktin se vitet në vijim do të jenë mjaft të vështira”, theksoi Darling.
Për herë të parë në Britani, udhëheqësit e partive kryesore janë pajtuar që të zhvillojnë debate të drejtpërdrejta televizive para zgjedhjeve.
Anketat e opinionit publik dëshmojnë se konservatorët kanë një epërsi prej 9 deri në 10 pikë ndaj laburistëve. Por kjo është epërsia minimale, e cila ju nevojitet për të siguruar shumicën në parlament.
Kjo shpjegon faktin se pse si Cameron, ashtu edhe Brown kanë një qëndrim shumë më miqësor ndaj Liberalëve Demokratikë, partisë më të vogël në opozitë.
Ata e dinë se Liberalët Demokratë mund të përcaktojnë krijimin e koalicionit të ardhshëm, nëse partitë e mëdha dështojnë që të sigurojnë shumicën absolute.