E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australia ndien pasojat e ngrohjes

Australia ka kaluar nëpër dekadën më të nxehtë të regjistruar deri me tani, kanë theksuar dje zyrtarët, të cilët valën e temperaturave të larta, thatësisë dhe të zjarreve ekstreme e kanë ndërlidhur me ngrohjen globale.

Zyra për Meteorologji ka njoftuar se viti 2009 ka qenë viti i dytë më i nxehtë, që nga fillimi i regjistrimeve të detajuara në vitin 1910, me temperaturën vjetore për 1.8 gradë Celsius më të lartë se mesatarja.

Klimatologu Dean Collins theksoi se këto të dhëna janë dëshmi për ngrohjen globale, të provokuar nga njeriu.

“Gjatë gjashtë dekadave të kaluara, secila dekadë ka qenë më e nxehtë se ajo paraprake. Dhe kjo nuk ndodhë rastësisht. Kjo po e pasqyron atë që është duke ndodhur në nivelin global”, tha Colins.

Australia gjatë vitit 2009 ka përjetuar tri valë rekorde të nxehtësisë, një ngjarje kjo e pazakonshme, për të cilën Colins thotë se është në përputhje me ngrohjen globale.

“Ngrohja globale shton gjasat për valë të këtilla të nxehtësisë, por nuk mund të themi kategorikisht se ato nuk do të kishin ndodhur pa ngrohjen globale. E tëra që mund të themi është se ngrohja globale ka shtuar gjasat për përjetimin e dukurive të këtilla”, tha Colins.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›