E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon me derbi

Dy skuadrat e para në tabelën e TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina dhe Big Brother Bashkimi, do të përballen në mes vete të dielën, në ndeshjen e parë të sezonit pranveror.

Bardhekaltrit synojnë që ta mposhtin për herë të tretë klubin Portokalli këtë sezon, ndërsa prizrenasit thonë se nuk shkojnë në Prishtinë me flamur të bardhë.

Për Blerim Mazrekun, përballja në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë do të jetë e veçantë. Basketbollisti nga Theranda do të luajë kundër ish ekipit të tij, pasi që siç dihet, ai një pjesë të sezonit vjeshtor e kaloi pikërisht tek “Arpagjikët”.

Qendra kosovare është optimist se bardhekaltrit do të dalin triumfues të dielën, me çka do të shkëputeshin nga kundërshtari në tabelë me 3 pikë dallim.

“Ne jemi përgatitur dhe do ta japim maksimumin në parket. Edhe pse do të na mungojë Yll Kaçaniku, besoj se do të dalim fitues nga kjo ndeshje”, tha Mazreku.

Në anën tjetër, prizrenasit kanë bërë ndryshime në shtabin teknik dhe në ekip. Bashkimin në pranverë do të udhëheqë trajneri Naser Oskaçek. Prizrenasit i frikësohen më shumë pozitës së qendrës, përkatësisht qendrës së prishtinasve, Blerim Mazreku, ngase sipas të gjitha gjasave, ata nuk do të mund të llogarisin në përforcimin e tyre, qendrën maqedonase Avramovski, i cili qe një javë është rikthyer në Maqedoni.

“Është vështirë sepse tek ne janë bërë disa ndryshime, në shtab teknik dhe në ekip, kështu që nuk kemi mundur të komponohemi si duhet. Kjo është loja e parë dhe gjithçka mund të ndodhë. Prishtina është më dominuese në qendër, por kjo nuk do të thotë se ne do të shkojmë atje për t’u dorëzuar. Ne do të luftojmë deri në fund dhe kërkojmë fitore”, theksoi basketbollisti me përvojë i prizrenasve, Artan Kurti.

Përpos ndeshjes derbi, Sigal Prishtina – Big Brother Bashkimi, e cila fillon në ora 19, të dielën (sot) zhvillohet edhe një ndeshje e rrethit të tretë të kampionatit të sivjetmë. Bambi e pret Kosovën e Vushtrrisë.

Superliga
Xhiroja e 15-të

E diel
Bambi – Kosova 15:00
S. Prishtina – BB Bashkimi 19:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›