E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon ndërtimi i godinës së ANTA, Olldashi: Është dyfishuar numri i pasagjerëve

Tiranë, 19 gusht, NOA Ministria e Transporteve ka inauguruar sot nisjen e punimeve për ndërtimin e godinës së re të ANTA-s (Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror dhe të kullës së kontrollit.

I pranishëm në këtë cermoni ka qenë dhe ministri Sokol Olldashi, i cili u shpreh se ndërtimi i këtij objekti i shërben infrastrukturës moderne dhe standardeve teknike që duhet të plotësojë Agjencia e Trafikut Ajror Shqiptar.

Sapo kanë filluar punimet për godinën e re dhe kullën e kontrollit të Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror. Një investim prej 12 milion Euro i bërë nga ANTA në kuadrin e Projektit Për Modernizimin e Hapësirës Ajrore Shqiptare i cili do ti japë agjencisë të gjitha kushtet e duhura të punës, duke pasur parasysh që transporti ajror ka pasur gjatë viteve të fundit një rritje shumë më të shpejtë nga ajo që ishte parashikuar në fillimet e këtij projekti, u shpreh Olldashi.

Ai theksoi se që nga viti 2005 dhe deri më sot ka patur një dyfishim të numrit të pasagjerëve.

E kemi gjetur me 730 mijë dhe jemi sot me 1 milion e 400 mijë pasagjerë. Kemi dyfishim të ulje ngritjeve në Aeroportin e Rinasit dhe për më tepër kemi një rritje me 40% të mbikalimeve në hapësirën ajrore shqiptare, pra të tranziteve përmes hapësirës ajrore shqiptare, të cilat duhet të kontrollohen nga ANTA, tha Olldashi.

Me ndërtimin e godinës së re dhe të kullës së kontrollit parashikohet që Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror të përballojë 2-fishin e kapaciteteve aktuale. Drejtori i ANTA-s Petrit Sulaj u shpreh se kulla është e standardeve ndërkombëtare, ndoshta më e mira në Ballkan, me të gjithë parametrat bashkohorë të sigurisë, me aparaturat dhe sistemet më moderne.

a.k/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›