Fillon punimet konferenca “Shqipja dhe Gjuhët e Ballkanit”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, janë organizatore të konferencës, ku po marrin pjesë 45 gjuhëtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Austria, Greqia, Rusia, Gjermania, Polonia, Çekia, Moldavia, Mali i Zi etj.
Hapjen e konferencës e bëri gjuhëtari i njohur - akademik, Rexhep Ismaili, i cili fillimisht foli për fazat e ndërtimit të gjuhës shqipe, ndërsa tha se rëndësia e shqipes për studimet ballkanistike është e dorës së parë dhe e pakapërcyeshme në studimin e afërsive midis gjuhëve që janë folur e fliten sot në Ballkan.
“Me trashëgiminë e njohjes së një pjese të mirë të rrethanave ballkanike, duke qenë në qendër të mundësive serioze për shqipen dhe gjuhët sllave të jugut, për turqishten e mbase me kohë edhe greqishten e rumanishten, Kosova është hapësirë shumë e përshtatshme për studime në tërësinë e tyre. Përfitimet nga hulumtimet e tyre mund të jenë të rëndësishme, jo vetëm për shkencën ballkanologjike, por edhe për vetë shoqërinë kosovare”, ka thënë Ismaili.
Ndërsa akademiku Idriz Ajeti ka dhënë një historik rreth kumtesës “Shqipja dhe gjuhët fqinje”. Ai theksoi faktin se populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, por nga ana tjetër përmendoret e para gjuhësore të tij paraqiten shumë vonë, në shekullin 14 përkatësisht 15,kurse libri i parë në shekullin 16, “Meshari”.
“Historia e gjuhës është njëkohësisht historia e popullit, i cili e ka përdorur atë gjatë shekujve dhe e përdorë edhe sot e kësaj dite. Megjithëse e rralluar gjatë shekujve, megjithëse është rralluar me depërtimin e elementeve të huaja, gjuha shqipe është dëshmitari i gjallë dhe i besueshëm i shumë ngjarjeve të lidhura me popullin për të cilat historia nuk e thotë asnjë fjalë”, ka thënë Ajeti.
Kurse kryetari i ASHAK-ut, Besim Bokshi u paraqit me kumtesën “Format e futurit të shqipes në raport me gjuhën e Ballkanit”, me ç’rast dha shumë shembuj të huazimeve të gjuhëve ballkanike nga gjuha shqipe dhe anasjelltas.
Pjesëmarrësit e konferencës dyditore “Shqipja dhe Gjuhët e Ballkanit”, i ka përshëndetur edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili tha se temat që do të shqyrtohen do të jenë të rëndësishme në lëmin e gjuhësisë për gjithë gjuhën e Ballkanit.
Ndryshe në konferencën shkencore “Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit” në katër seanca dhe brenda dy ditëve do të trajtohen çështje të shumta gjuhësore. Materialet e konferencës do të botohen në një vëllim të veçantë nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.