Kriteret e Opozitës

Emrat e kandidatëve për ambasadorë që pritet të propozohen nga Qeveria e Kosovës, ende nuk kanë shkuar në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, i cili duhet të japë vlerësime para se kreu i shtetit t’i dekretojë ata.
Një gjë e tillë është pritur të ndodhë të martën.
Disa nga anëtarët e Komisionit, i cili do të japë vlerësimin për secilin kandidat, qysh tani kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre rreth emrave që po qarkullojnë në media.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni kritikon Ministrinë e Punëve të Jashtme për shkelje ligjore me vendimin për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj dhe "pensionimin" e parakohshëm të disa diplomatëve që janë në shërbim në disa vende të ndryshme të botës.
“Nuk ka ndonjë rregull strikt, ngase ambasadorët, sipas ligjit aktual, mund të emërohen dhe mund të shkarkohen kurdo nga Presidentja, mirëpo gjithsesi kjo nuk bëhet para katër vitesh dhe kjo është një praktikë që ndodh çdo kund”.
Hyseni konsideron se nuk është në rregull të bëhet një lëvizje e tillë e ambasadorëve në këtë kohë, e sidomos jo të atyre që janë me familje.
“Ambasadorët që kanë familje ose fëmijë të moshës shkollore iu duhet një periudhë disamujore si transicion, ngase mund të qëllojë që fëmijët të largohen nga shkolla në mes të vitit. Nuk është lehtë ta transferosh familjen nga një vend në një vend tjetër për një afat më të gjatë”, ka thënë Hyseni.
Ligji për shërbimin diplomatik precizon qartë, me Nenin 22 të tij, se mandati i një ambasadori është katërvjeçar. Ndërkohë, tërheqja e ndonjë ambasadori nga detyra e tij, sipas këtij ligji, mund të bëhet vetëm nga Presidenti i shtetit.
Sipas Ligjit, një shërbyes diplomatik mund të tërhiqet nga misioni i tij me urdhër të Presidentit, për nevoja të ndryshme të punës në MPJ, në bazë të kërkesës së vetë prezantuesit diplomatik, për arsye të vlerësimit negativ të punës së tij, për shkelje të dispozitave ligjore apo kur nga shteti ku është i ngarkuar me detyrë zyrtare kërkohet një gjë e tillë.
Këshilltari për media i Presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu ka deklaruar për Express se deri tani nuk është shkarkuar askush nga ambasadorët aktualë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës nuk e ka shkarkuar askënd dhe as që e ka ndërmend ta shkarkojë dikë për punën e deritashme”, ka thënë Vllahiu.
Ai ka bërë të ditur se as në Presidencë nuk ka shkuar ende asnjë propozim për ambasadorë të rinj.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kada-Bujupi nuk pajtohet me propozimet për ambasadorë të rinj.
Sipas Kada-Bujupit, ata janë të padenjë për poste të tilla.
“Me përgjegjësi të plotë them se përveç Sylejman Selimit, asnjë emër tjetër i përmendur nuk i përmbush kriteret e parapara me ligj, sepse shumica prej tyre ose nuk e kanë kualifikimin e duhur profesional, ose janë të zhytur në afera korruptive”, tha Kada- Bujupi.
Ajo nuk ka pranuar të flasë për emrat, për të cilët pretendon se janë të zhytur në afera korruptive.
“Nuk dua të dal tash me emra, mirëpo i qëndroj prapa kësaj që thashë. Po e theksoj se secili emërim, përveç Sylejman Selimit, do të ishte degradim dhe izolim i shtetit tonë”, tha ajo.
“Përzgjedhja e kandidatëve për ambasadorë të rinj po vërteton edhe një herë se Qeveria aktuale është duke politizuar gjithçka, duke graduar persona të pakualifikuar për poste të tilla”, tha ajo
Përfundimi i procesit të emërimit të ambasadorëve të Kosovës pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti.
Sipas Zëdhënësit të MPJ’së, Artan Behrami, ambasadorët e rinj qysh në janar të vitit të ardhshëm, do të kenë nderin të prezantojnë shtetin e tyre në vendet përkatëse ku do të vendosen me detyrë zyrtare.
Lista e re diplomatike
Emrat të cilët pritet të propozohen nga Qeveria për ambasadorë të rinj janë: Akan Ismaili, Ahmet Shala, Skënder Xhakaliu, Ylber Hysa, Sylejman Selimi, Amir Ahmeti dhe Esat Brajshori.