E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fqinj me mbretin


Elsa Demo

Shkencëtarët nuk kanë ndonjë konsideratë për oral history, por ajo nuk mund të injorohet si burim për njohjen e subjekteve. Mërgimi mbretëror i Neil Rees (përkthim i Xhevat Lloshit) që prezantohet sot në Muzeun Historik Kombëtar është bazuar në intervistat dhe kujtimet e njerëzve që kanë jetuar në të njëjtin vend me familjen mbretërore të Shqipërisë e mërguar në Luginën e Temzës dhe në Çilterns të Anglisë, 1940-1946.

Është botim i Court of King Zog Research Society, në Angli. I kushtohet familjes së Muharrem Gjokës, truprojës besnik të mbretit Zog, mikeshës besnike të mbretëreshës Geraldinë, Rosemary Trasenster dhe banorëve të qendrave Frieth, Lane End dhe Marlow që dëshmuan për Rees.

Historia e mërgimit të Ahmet Zogut që zë fill në Follorinë të Greqisë, të nesërmen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, dhe vazhdon për trashëgimtarët edhe pas vdekjes së tij në Francë më 1961, është po aq e çuditshme dhe edhe më e panjohur se koha e mbretërimit të tij.

Zoti Rees, kohën e mërgimit të Zogut në Angli historianët e quajnë periudha e dëshpërimit. Çfarë thotë kërkimi juaj?

Në fakt koha e dëshpërimit të tij fillon kur ai lë Shqipërinë. Lufta ishte gjithkund. Ai mërgon fillimisht në Greqi, Turqi, e më pas nis udhëtimin përmes Evropës Lindore e Qendrore, Rumani, Poloni, Skandinavi, ndalon në Francë. Pak përpara se gjermanët të hyjnë në Francë ai largohet drejt Anglisë, në Londër. Nuk vonon bombardimi i Londrës dhe familja mbretërore zhvendoset në vilën e një fshati të vogël që ndodhet pranë vendit ku jetoj unë. Vendasit tregojnë histori dhe unë nisa ti mbledh këto rrëfime për familjen mbretërore që vinte nga Shqipëria.

Pra ju bazoheni në dëshmi të gjalla.

Kam bërë edhe kërkime në arkiva, por nuk kisha qëllim që libri të merrte këtë drejtim. Sigurisht që jam konsultuar me arkivat mbi marrëdhëniet diplomatike britanike me Mbretin Zog. Pjesa më e mirë këtij libri bazohet në intervista me anglezë që kanë njohur familjen mbretërore. Ose njerëz të tyre të afërt prej të cilëve sigurova fotografi e dëshmi të cilat i paraqes në këtë botim.

Ju e shkruat këtë histori sepse ai ishte një mbret në mërgim apo sepse kishit takuar këta njerëz?

Unë jetoj në një zonë që ndodhet midis Londrës dhe Oksfordit e cila quhet Çiltern Hills dhe ku kanë jetuar shumë refugjatë gjatë luftës. Libri e ka zanafillën te interesimi për historinë lokale të Buckinghamshire-it. Më 2007 bëra një vizitë në Shtëpinë Parmur, ndërkohë që po bëja kërkime për të mërguarit e krahinës dhe zbulova se ajo kishte qenë shtëpia e mbretit Zog të shqiptarëve. Nisa kërkimin. Nuk mund të them se ky libër është nisur nga perspektiva mbretërore.

Mbreti ishte pranuar të strehohej në Londër me cilësinë e qytetarit të thjeshtë dhe me kushtin për të mos ushtruar veprimtari politike. Si rridhte jeta praktike në qytet, fillimisht në një hotel, Hotel Ritz?

Qëndrimi i tij në Londër kaq qenë shumë i sikletshëm, situata shumë e pafavorshme. Udhëheqës, apo elita evropiane në mërgim në Londër kishin favore e privilegje të domosdoshme, ndërsa Mbreti Zog e gjitha çfarë kishte, ishte dija e tij për Shqipërinë dhe asnjë shans për ta ndihmuar nga distanca vendin e pushtuar.

Për kohën që jetuan në Ritz, mikesha e mbretëreshës Geraldinë, Rozmaria, mban mend që i kishte bërë vizita shpurës së mbretit Zog, e cila jetonte në katin e sipërm të hotelit, ndërsa shpesh flinin në banjat e grave në qilaret, të cilat ishin kthyer në strehim kundër bombardimeve.

Në Ritz rojet personale të armatosur, janë përshkruar në tekste të historisë si malësorë shqiptarë që vinin nga zonat matjane të mbretit. Keni rrëfime për këtë anë të mënyrës së shpurës?

Truprojat ishin të armatosur edhe pse ligji nuk e lejonte. Askush nuk bëri ndonjë akt të  kundërligjshëm. Flisnin gegërisht, kishin mësuar pak frëngjisht e pastaj pak anglisht. Ata nisën të zënë miqësi me vendasit. Nga një dëshmi e Teri Cooper-it, truprojat shkaktonin shqetësim netëve duke patrulluar nëpër korridoret dhe shkallët e hotelit. Ata e kishin zakon të mblidheshin te Lyons Tea Rooms, ku dy prej tyre zunë dashnore angleze, ndërsa Muharrem Gjoka gjeti partneren e vet Mary Ëard.

Kur lëvizën në vilën Parmur që shohim në foton e kopertinës, ishte e vështirë për mbretëreshën Geraldinë të përballonte punën në kopsht dhe ushqimin e suitës, sadoqë e përgjysmuar.

Po njerëz të ndryshëm dëshmojnë për këtë. Edhe Adila, motra e mbretit Zog, merrej me gatimin. Mbretëresha Geraldinë bëri shumë miq vendas. Fliste anglisht shkëlqyer, ndërsa mbreti Zog përdorte përkthyes. Shpesh ishte mbretëresha që përkthente për të.

Ndonëse më vonë Geraldina mësoi shqipen, ata me njëri-tjetrin flisnin gjermanisht. Princi Leka u rrit duke folur shumë gjuhë: frëngjisht me dy dadot zvicerane, shqip me të atin dhe me shqiptarët e tjerë, anglisht me të ëmën, kujdestarin anglez dhe shokët vendës.

Cili është momenti më i rëndësishëm i mërgimit në Britani?

Është e vështirë ta thuash sepse ne e shohim situatën pasi ka ndodhur gjithçka, kurse ata që e kanë jetuar nuk e dinin çdo të ndodhte nesër, pas një muaji. Mbreti kishte tërhequr me vete motrat dhe nipërit, dhe njëherësh ai përpiqej të bënte diçka për Shqipërinë. E ndërsa luftës po i vinte fundi, dhe mendohej që pikërisht tani do të ishte i dobishëm për vendin e tij, nuk ndodhi kështu. Momenti më i vështirë duhet të ketë qenë 11 janari i vitit 1946, kur Shpallet Republika Popullore e Shqipërisë dhe hiqet monarkia. Gjithë puna që bëri kishte shkuar kot. Atëherë largohet menjëherë për në Aleksandri, ku i kishte ofruar mikpritjen mbreti Faruk i Egjiptit.

Atëherë, gjen kuptim ky titull i librit tuaj mërgimi mbretëror?

Ishte e nevojshme të ndiqej kjo logjikë me titullin sepse Mbretin Zog askush nuk do ta njihte në Angli. Ne kemi një familje mbretërore të mrekullueshme në Angli dhe njerëzit i pëlqejnë librat për të. Prandaj unë përdora një titull për të intriguar anglezët. Ndoshta për shqiptarët nuk është kështu.

Ju e vazhdoni historinë edhe pas vdekjes së Zogut, dhe pas mërgimit në Egjipt.

Unë kam dashur të tregojë jo vetëm historinë e familjes mbretërore po edhe të atyre që erdhën me të. Pas vdekjes së mbretit ata jetuan në Angli dhe fëmijët e tyre jetojnë akoma aty… Më pëlqejnë historitë që rrëfehen nga njerëzit sepse ata janë burime të gjalla e prej tyre gjithnjë do të dalë diçka e re, gjithnjë do të nxjerrin nga sirtari një foto, një kartolinë, një letër. Unë mbaj me vete një skaner në makinë. Sepse mua më pëlqejnë historitë e ilustruara. Ato tregojnë si kanë jetuar, ku kanë jetuar njerëzit, ata që e bëjnë historinë të vërtetë. Ky nuk është libër politik, ai vështron historinë shoqërore të mbretit Zog, të familjes dhe të rrethit të tij, e rrjedhimisht, edhe zanafillën e bashkësisë shqiptare në Angli… Ka gjasa që shumë rrëfime të tjera nuk i kam zbuluar gjatë hulumtimeve dhe ndoshta kam bërë disa gabime. Por asgjë në këtë libër nuk është dhënë për të fyer njeri, prandaj në rast se ka gabime, ato nuk janë bërë me qëllim dhe e pranoj përgjegjësinë time. Librin e kam shkruar nga kënaqësia që të jep gjurmimi i një historie lokale interesante. Është një projekt i papërfunduar dhe të dhëna të reja ose ndreqjet mund të përfshihen në rishikimet e ardhme.

Autori

Neil Rees-i ka lindur në Aylesbury dhe so

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›