Film autobiografik për Lech Walesën

“Nuk dua ta bëj, por jam i detyruar”, deklaroi 85-vjeçari Wajda në nisjen e filmimeve, duke cituar shprehjen më të famshme të Walesës, kur konkurroi në zgjedhjet e para demokratike në vend, përballë komunistëve.
68-vjeçari Walesa u bë nismëtar dhe themelues i “Solidarnosc”, një lëvizje e punëtorëve të portit të Gdanskut, që nisi serinë e grevave dhjetëvjeçare dhe luajti një rol kyç në luftën për më shumë demokraci.
Roli i Walesas do të interpretohet nga një prej aktorëve më të mëdhenj të kinemasë polake, Robert Wieckiwicz.
Wajda, i cili më parë ka drejtuar kryevepra të kinematografisë botërore si “Toka e Premtuar”, “Njeriu i Hekurt” apo “Katyn”, e cilësoi autobiografinë mbi Walesën si “më të vështirin që ka realizuar ndonjëherë”.
Filmi do të përqendrohet në periudhën më aktive të jetës së nobelistit, midis viteve 1970-89. Walesa u nderua në vitin 1983 me “Nobelin” për paqe, por nuk udhëtoi në Stokholm për ta tërhequr, nga frika se autoritetet nuk do ta lejonin që të rikthehej në Poloni.