E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat e ndaluar gjejnë vend në ekranin shqiptar

Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut zhvillon edicionin e tij të gjashtë në datat 25-30 shtator. Fokusi i festivalit të këtij viti është krimi i organizuar dhe lidhja e botës së krimit me politikën dhe mediat. Temat qendrore të këtij edicioni lidhen me aspekte të krimit të organizuar, qofshin ato të korrupsionit, terrorizmit, fondamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Një ditë e veçantë e festivalit do t’i kushtohet njerëzve me aftësi të kufizuara. Ndërsa lirisë së shprehjes, këtij koncepti kaq të debatuar në vendet që aspirojnë demokracinë, do t’i kushtohet gjithashtu një ditë e veçantë, me filma që përcjellin mesazhe të forta. Janë përzgjedhur 35 filma artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër, nga mbi 300 filma të paraqitur, ndërkohë që një pjesë e filmave që do të shfaqen për publikun janë të ndaluar në vendet e tyre të origjinës. Përveç këtyre, një përzgjedhje e veçantë i është kushtuar filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët do të jenë pjesë e forumeve më 28 shtator. Gjatë pesë ditëve të festivalit do të zhvillohen forumet e paradites me pjesëmarrjen e gjimnazistëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme, me debate që lidhen me të drejtat e njeriut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›