Qendra Kinematografike kthen pllakë: “Falja e Gjakut”, film shqiptar
Komisioni Përzgjedhës i Filmit konkurrues që do të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të synojë të hyjë në listën e çmimeve “Oskar” ka përzgjedhur filmin e regjisorit amerikan Joshua Martson për të na përfaqësuar
Filmi “Falja e gjakut” e mori bekimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike (QKK) për të përfaqësuar Shqipërinë në regjistrin e gjatë të filmave që do të synojnë të hyjnë në konkurrim për çmimet “Oskar” në kategorinë e “Filmin më të mirë në gjuhë të huaj”. Në fakt marrëdhëniet e mëparshme të kësaj qendre me realizuesit e filmit nuk kanë qenë aspak në favor të këtij vendimi që mori dje komisioni përzgjedhës për filmin shqiptar konkurrues në Academy of Motion, Picture, Arts and Science - 2012” në kategorinë “Foreign Language Film Aëard”, i përbërë nga kryetar Artan Minarolli dhe anëtarë Teodor Laço, Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa. Jo vetëm një herë regjisori Joshua Martson dhe bashkëskenaristi i tij Andamion Murataj kanë torkitur në dyer e QKK për të përfshirë edhe palën shqiptare në financimin e këtij filmi. Po i njëjti komision që vendosi që ky film do të përfaqësojë filmin shqiptar, i ka hedhur poshtë kërkesat e vazhdueshme të dy realizuesve, duke e cilësuar filmin si një prodhim i huaj për të cilin qendra nuk ka ligj ku të bazohet për ta financuar. Por me vendimin e djeshëm bordi drejtues i QKK-së ka bërë një kthim mbrapsht plot 180 gradë, duke arsyetuar vendimin e djeshëm se filmi “Falja e Gjakut” është prodhim shqiptar, i denjë për të na përfaqësuar në tentativën tonë për të cekur pragun e çmimeve “Oskar”. Konkretisht vendimi i bordit të QKK-së thotë se nga katër filma: “Balkan Bazar”, me regjisor Edmond Budinën; “Amnistia” me regjisor Bujar Alimanin; “Maya” me regjisor Pluton Vasin dhe “Falja e Gjakut” me regjisor Joshua Martson, që kanë paraqitur kërkesë për të marrë pjesë në Academy of Motion, Picture, Arts and Science 2012, në kategorinë “Foreign Language Film Aëard”; komisioni përzgjodhi filmin e amerikanit Joshua Martson “Falja e gjakut” me arsyetim se filmi është tërësisht në gjuhën shqipe; Njëri nga autorët e skenarit, Andamion Murataj është shqiptar; “Lissus Media”, është kompani shqiptare, bashkëprodhuese në realizimin e filmit; Filmi është xhiruar tërësisht në Shqipëri; Aktorët e filmit janë të gjithë shqiptarë; Shumica dërrmuese e stafit realizues janë qytetarë të Republikës së Shqipërisë; dhe në fund, filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe kritika shqiptare për trajtimin me origjinalitet dhe freskinë artistike, të një problemi që mbetet i mprehtë për shoqërinë tonë. Ky vendim i QKK-së vjen pas suksesit që filmi pati në Festivalin e Filmit në Berlin, ku fitoi “Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë, një sërë vlerësimesh që ky film mori që nga Amerika deri në Tiranë dhe premierës po aq të suksesshme në Tiranë dhe Prishtinë. E në fund Qendra Kombëtare e Kinematografisë u dorëzua: filmi “Falja e gjakut” vetëm regjisorin ka amerikan, se pjesa tjetër është tërësisht gjak shqiptar.
Filmat shqiptarë që kanë tentuar “Oskar”-in
Filmat shqiptarë që janë regjistruar zyrtarisht prej vitit 1996 për konkurrimin e përvitshëm “Best Foreign Language Award” në Akademinë Amerikane të Filmit Arteve dhe Shkencave janë vetëm pesë. Konkurrimi në këtë kategori njihet prej vitit 1956, për filmin e gjatë artistik që nuk prodhohet në SHBA e që kryesisht flet në një gjuhë që nuk është anglishtja. Academy of Motion Picture Arts and Sciences që prej 1956-s fton industrinë filmike të vendeve të ndryshme që të aplikojnë me filmin që i përfaqëson më mirë në Academy Award for Best Foreign Language. Një komitet i akademisë për këtë kategori seleksionon filmat e vendeve të ndryshme dhe me anë të një votimi sekret përzgjedh një listë me 5 kandidatë, që zyrtarisht janë kandidatë për “Oskar” në kategorinë e “Filmit më të mirë në gjuhë të huaj”. Vetëm katër filma shqiptarë, bashkëprodhime të huaja me polakët, francezët, italianët, kanë aplikuar për Academy Award for Best Foreign Language Film, por që të gjithë janë skualifikuar që në hyrje. Filmat që Shqipëria ka menduar sesi prodhime kombëtare janë për “Oskar” në këto vite kanë qenë: 1996 “Kolonel Bunker” i Kujtim Çashkut; 2002 “Slogans” i Gjergj Xhuvani; 2008 “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i Eno Milkani & Piro Milkani; 2009 “Gjallë!” i Artan Minarollit; 2010 “Lindje-Perëndim-Lindje” i Gjergj Xhuvanit;dhe për ta mbyllur më 2012 QKK ia jep këtë shans filmit “Falja e Gjakut”.
Aida Tuci