E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi horror ne kinemane shqiptare

Frika dhe elementi kinematografik i saj në realitetin shqiptar u vendosën në qendër të vëmendjes prej emisionit të pasdites në Top Channel.

Frika është një reagim biologjik i trupit tonë, ndaj situatave të panjohura dhe potencialisht të rrezikshme. Disa e konsiderojnë si një e mirë e domosdoshme, ndërsa të tjerë si një element që duhet shmangur kur ekziston mundësia.

Për këtë arsye, edhe filmat e zhanrit horror janë të shumë debatuar në publik. Përballja e shqiptarëve me këto lloj filmash ndodhi përpara viteve 1990, edhe pse shfaqja e programeve të tilla kufizohej me gishtërinj.

Filmi anglez, Shtëpia në Ishull, i transmetuar në vitin 1986, ishte njëri prej atyre që i shpëtuan censurës dhe shokuan publikun e pamësuar me ato pamje në vendin tonë.

”Ishte filmi i parë i mirëfilltë horror dhe pavarësisht debateve që shoqëruan transmetimin e tij, njerëzit e pritën mirë, pasi edhe atëherë dëshironin që të ndienin ngritjen e adrenalinës dhe këto lloj emocionesh”, thotë regjizori Ylli Pepo.

”Tek Shtëpia në Ishull nuk mendoj se është hequr ndonjë skenë. Është historia e një fëmije që hyn në një shtëpi dhe i ngjallet e ëma në një pikturë të madhe, që të ngjallte gjithmonë një lloj tensioni. Por, në fund të fundit, ajo ishte e bukura e filmit”.

Megjithatë, kineastët shqiptarë kishin operuar në mënyrë fragmentare me këtë zhanër edhe përpara transmetimit të Shtëpisë në Ishull. Në vitin 1976, u shfaq filmi me seri, Emblema e Dikurshme.

”Ka shumë skena tmerri, të papriturash, befasi, skena të cilat e mbajnë nën tension spektatorin, qoftë me ngarkesën e tyre, qoftë me atë që fshihet mbrapa ngjarjeve”, shton Pepo.

11 vjet më vonë, në vitin 1987, një tjetër kineast realizoi një film realist të zhanrit dramë, Rrethin e Kujtesës, i frymëzuar nga realizimi i një filmi dokumentar mbi torturat e kampit të përqendrimit në Mathausen dhe mbi një vepër të shkrimtares Diana Çuli.

Megjithatë, filmi erdhi në ekranet e kinemasë jo i plotë. “Skenat e lavanterisë e të spitalit kanë qenë shumë më të gjata”, kujton regjizori Esat Mysliu. “Ministri i Kulturës në atë kohë, Alfred Uçi, i quajti disa sekuenca ekspresioniste dhe rreth 20 minuta, ku shfaqeshin vetëm tortura e vuajtje u shkurtuan.

U hoqën skena me gjymtura të ushtarëve gjermanë që i hidhnin për të terrorizuar të burgosurat, pamje me gjak apo të spitalit psiqiatrik ku personazhi që inspiroi filmin, Margarita Begolli, kurohej këtu”.

Pavarësisht censurës, Rrethi i Kujtesës mbeti një film shokues për shqiptarët kur u transmetua. “Unë në atë film kam patur si konsulentë dy mjekë psiqiatër, Nestor Polimerën dhe Ylmi Vehbiun”, kujton regjizor Mysliu. “Këta mjekë më përligjën eksperimentet që bëheshin në film mbi pacienten.

Sigurisht, janë tronditëse pamjet e elektroshokëve, edhe sepse shumica e njerëzve nuk kanë parë një të tillë dhe nuk e dinë se çfarë do të thotë të të vënë dy elektroda në kokë dhe të godasin me energji 60-90 volt në tru. Konvulsionet janë të jashtëzakonshme, por janë të vërteta”, përfundoi Mysliu.



Foto

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›