Situatë alarmante në fshatin Hekal, ku janë shembur edhe rrugët
Në fshatin Hekal të Mallakastrës një lagje e tërë rrezikohet nga rrëshqitja e tokës. Kryetari i komunës, Rrapo Hamitaj, ka thënë për “Shqip” se janë 10 shtëpi që kanë pësuar dëme të konsiderueshme. “Shembja ka nisur nga kodra pranë lagjes ‘Brahim çelepiaj’ dhe veç problemeve me banesat, janë shembur edhe dy rrugë”. Burime nga shtabi i emergjencave civile në Prefekturën e Fierit pohojnë për gazetën “Shqip” se raportimi i rrezikut nga shembja e dheut është në përpilim e sipër, por veç fshatit Hekal të komunës me të njëjtën emër, ka rrezik rrëshqitjeje toke dhe në fshatin Gjegjar të Komunës Selitë, Ngraçan, si dhe në Rruzhdie.
“Në këto katër zona dëmet nga shembja janë të konsiderueshme. Banesat rrezikohen seriozisht dhe ndoshta do të kërkohet dhe evakuimi i banorëve”, shprehen në nënprefekturën e Ballshit. Ndërkaq, rrëshqitjet e dheut kanë vazhduar gjatë pasdites të së enjtes. Për momentin dy banesa janë deklaruar plotësisht të dëmtuara, por në fshatrat Ngraçan dhe në Rruzhdie, rrëshqitja masive e dheut vijon të thellohet dhe numri i banesave në rrezik shkojnë në mbi 20 të tilla. Ndërkohë që pritet se verifikimi në terren do të nxjerrë të tjera banesa të rrezikuara. Një tjetër vatër në rrezik është edhe fshati Gjegjar në Komunën e Selitës. Në vitin 2005 në këtë fshat 16 banesa u cilësuan nga shteti të pabanueshme.