E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi i animuar i censuruar në ekranin e kinemasë

Filmi i animuar shqiptar në vitet e krijimtarisë së tij ka pasur një sërë krijuesish që me pasionin e tyre do të skalitnin portrete personazhesh që rritën një brez të tërë duke i dhënë duhë kësaj gjinie që dhe sot është e dashur për të gjithë brezat. Pasionin dhe ëndrrën e Vlash Dobronikut dhe Tomi Vasos e ndoqën dhe krijues të tjerë, si Bujar Kapexhiu, Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Esperanca Konomi, Artur Dauti, Artan Maku, Jani Zhonga, Gazmend Leka etj., piktorë ekzekutues si: Natasha Vodica, Elefteri Mella, Zamira Keçi, Alma Devolli, Vehap Kokalari, Zana Thaçi , Milto Carka etj. Operatorët si: Tomi Vaso, Jovan Kondakçiu, Diana Diamanti, Vangjush Valla, Sonja Mamaqi dhe Leonard Dorri. E sigurisht që pas viteve ‘90 janë realizuar mjaft filma të animuar, por jo në të njëjtat nivele. Por edhe filmi i animuar ka kaluar në kalvarin e censurës. As ai nuk arriti t’i shpëtonte “rrjetës” së censurës të para viteve ’90. Për të sjellë në ekran ata filma që u prodhuan dhe nuk u shfaqën kurrë për fatosat dhe pionierët e Enverit, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit u ka dedikuar atyre muajin prill. Kështu, filmat e animuar të realizuar në periudhën komuniste, të cilët u censuruan, do të shfaqen në Arkivin e Filmit përgjatë muajit prill. I pari që do të çelë këtë aktivitet është regjisori Artan Maku. Do të projektohen tre filma të tij. “Për mua është vërtet befasi kjo vëmendje, sepse janë katër filma që kanë qenë problematikë në atë kohë. I pari është “Dhelpra dhe iriqi”, i cili u ndalua nga regjimi për anën vizuale figurative, sepse edhe këto i kontrollonte regjimi.”- u shpreh regjisori Artan Maku, që do të sjellë i pari në ekranin e kinemasë filmat e tij të censuruar. Kështu, kujt i kujtohet ai ujku “piktor”, që ashtu i frikshëm e qesharak, i fshehur pas një kavalete, thoshte atë frazën e famshme: “Pa bri je mbret… pa bri, je pasha… pa bri, është dhe moda…”, po ai arushi i vogël në kërkim të babit, që kur e gjen nuk e përmban dot lumturinë: “Babi, babi imeeee”… Këto e shumë të tjera kush nuk i kujton, mund të vijë në ekranin e kinemasë së Arkivit të Filmit çdo të mërkurë të muajit prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›